Tiranë, 1 maj 2011, NOA/Irma Toptani – Në 1 maj, ditën që në mbarë botën punëtorë e të papunë derdhen në rrugët e mbarë botës për të kërkuar punë dhe kushte më të mira për të, lideri i opozitës dhe kryebashkiaku Edi Rama deklaroi se është tërësisht tallëse të flasësh për punësimin, kur në Shqipëri ka 1 milion të papunë. Kryesocialisti Rama akuzoi qeverinë se po mashtron qytetarët me përrallat mbi zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, mrekulli që sipas Ramës e gjejnë veten vetëm nëpër regjime që nuk kanë asnjë lidhje me demokracinë.
Rama ia kushtoi punësimit, këtë takim të hapur me qytetarët i çelur pak minuta më parë në sallën e Universitetit të Arteve të Bukura.
Kryebashkiaku i Tiranës Edi Rama tha se e keqja e papunësisë erdhi nga vjedhja e votës në zgjedhjet e 29 qershorit 2009.
“Në oborret e familjeve shqiptare jo vetëm që nuk ka mrekulli ekonomike, por është haptasi e dukshme se vjedhja e votës në 2009-ën”, u bë sikundër tha Rama, me një argument të vetëm, për të vjedhur tërë pasurinë e shqiptarëve.
“Nuk mund të ketë punësim aty nuk ka demokraci për njerëzit e thjeshtë, aty ku mungon konkurrenca, dhe ku ekziston një ligj që kap shtetin dhe institucionet, në funksion të përfitimit të një grushti njerëzish pranë pushtetit”, deklaroi Rama.
Kryetari i opozitës theksoi se qeveria që ka sot Shqipëria ka një mungesë të theksuar të planit të zhvillimit për këtë vend.
Ai kërkoi t’u hapë sytë qytetarëve rishtas duke u thënë se kryeministri thotë vetëm gënjeshtra.
“Në asnjë vend normal nuk do të ishin toleruar kurrë pasojat urbane dhe sociale për fëmijët që rriten në këtë batërdi me pasoja ekonomike të pallogaritshme”, theksoi Rama.
Ai risolli në vëmendje fjalët e kryeministrit për perlën jonike, Sarandën, që Berisha e quajti si kurorën e bukurisë turistike.
“Saranda është shëmbëlltyra e transformimit nga ky regjim, pasi e ngritur në një prej perlave të Mesdheut, rrezikon të kthehet në një vetshkatërrim të vetvetes, në një geto sociale”, deklaroi Rama, që e quajti këtë si një krim të përdalë.
Rama nënvizoi se ende nuk ka asnjë përgjigje për rikthimin e pronave tek pronarët, porse sipas tij të tëra premtimet janë vetëm për marrjen e votave në 8 maj. Vijon...
mit/NOA