English

Berisha: Rama për ndërtimin e xhamisë, edhe Profeti thotë “Mos prek pronën e tjetrit”

Durrës, 1 maj 2011, NOA- Kryeministri Berisha pas kthimit nga Vatikani ku mori pjesë në Lumturimin e Papa Gjon Pali II, u ndal në qytetin e Durrësit për të inauguruar rrugën Spitallë-Porto Romano.

Gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast, ai tha se ky është vetëm fillimi i investimeve të shumëfishta që e presin qytetin e Durrësit në katër vitet e ardhshme.

“Alternativa jonë është alternativa e halleve, e derteve, është alternativë që ka në qendër qytetarin dhe vetëm qytetarin, ndaj ju ftoj që më 8 maj të votoni për Ferdinand Xhaferrin dhe ju jap fjalën se do bëj gjithçka që votën tuaj ta kthej në një sukses për ju për familjet tuaja dhe për komunitetin tuaj. Së bashku ja dolëm që të kthejmë ëndrrat tona në realitet dhe në katër vitet e ardhshme synimi ynë është Durrësi qytet i zhvilluar, Shqipëria vend i zhvilluar”, u shpreh kreu i maxhorancës.

Më tej ai tha se u arrit që 95% e shqiptarëve të furnizohen me ujë të pijshëm, madje i garantoi ata se çdo rrugë dhe rrugicë do të asfaltohet në katër vitet e ardhshme.

Ai përmendi edhe vizitën e tij në Vatikan, duke thënë se, “Papa Gjon Pali i II mbetet shenjtori i kombeve të shtypura, Papa ishte ngjalli i lirisë i kombeve të shtypura, prabndaj i uroj gjithë besimtarët e zotit në këtë ditë të shënuar, duke thënë se alternativa e maxhorancës është alternativa e besimit.

“Krahas kësaj alternative është ajo e shokut Edi Rama, ju e keni dëgjuar që ka një muaj që kalon nga sheshi në shesh e diku më quan fashist e qeveri fashiste, e tjetër kund thotë ja 1 milionë të papunë, vë përpara tabelën Saliu e ka fajin, bërtet kurrë më, për të gjitha këto nuk kam asnjë koment, por dy janë momentet që kërkoj të jesh i kujdesshëm. Së pari, për herë të parë në këto 20 vite i kërkon dhe ndalon ekranet e mediave për kundërshtarin tënd në Tiranë, nuk kam merak për të, por na lëndove ne të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga bindjet politike, ndaj më duhet tu bëj thirrje atyre mediave që më 8 maj të votojnë “Alternativën e qytetarit”, sepse do të marrë fund edhe diktati i Edi Ramës mbi to”, u shpreh lideri i maxhorancës.

Si çështje të dytë, Berisha tha se, Rama ka një muaj që merret me problemin e një xhamie, madje e cilësoi si normale që politikanët të merren edhe me kisha, edhe me xhami edhe me teqe dhe ti nderojnë komunitetet fetare: “Mirëpo ç’më panë sytë sot, sot ti paraqisje projektin e xhamisë për të ndërtuar atë, kur nga ana tjetër protestonin 30 pronarë se po u grabisje pronën. Dy nga porositë themelore të Profetit janë mos prek pronën e tjetrit, përpjekja jote për të ngritur xhaminë mbi pronën e tjetrit, nuk ka mysliman që të falet mbi xhaminë e ngritur mbi pronën e grabitur, natyrisht ti qëllimin nuk e ke për të ndërtuar për besimtarët, por e ke për të marrë ndonjë votë, por kjo punë e jotja s’nuk, ta dha përgjigjen edhe rinia. Nuk ndërtohet as kisha, as xhamia mbi toka të grabitura”.

Në përfundim ai bëri thirrje që në 8 maj të gjithë të votojnë për “Aleancën për qytetarët”, që të vihet qytetari, familja dhe komuniteti të parët.

a.y/NOA

KOMENTE