English

Berisha: Rama, ti i shtove votat Bashës, mediat në 8 maj do i japin fund diktatit tënd

Durrës, 1 maj 2011, NOA- (Update) Nga qyteti i Durrësit nga ku inauguroi përfundimin e punimeve të rrugës “Aleksandër Goga”, në Porto Romano, Kryeministri Berisha falënderoi të gjithë qytetarët e Durrësit për mbështetjen dhe u tha atyre se votën e tyre do e shndërrojë në investime.

Gjatë fjalës së tij ai tha: “Kemi ndërtuar dhe rindërtuar 52 shkolla, do të ndërtojmë dhe rindërtojmë të gjitha shkollat përfshirë kampusin modern për universitetin. Kemi ndërtuar 103 sisteme ujësjellësash dhe kanalizimesh garantojmë dhe do të garantojmë 24 orë ujë për të gjithë banorët e Durrësit dhe të qarkut të tij. Në Durrës, kemi ndërtuar spitalet më moderne dhe ambulancat dhe ju garantoj se në katër vitet që vijnë do ju ofrohen shërbimet më moderne shëndetësore për ju dhe qytetarët e këtij qarku”.

Me rastin e 1 majit, kreu i qeverisë tha se së bashku me Ferdinad Xhaferrin votën e qytetarëve do ta shndërrojë në vende pune për të papunët e kësaj zone dhe të këtij qyteti.

Ai u tha qytetarëve se do ta shndërrojë infrastrukturën në vend ndër më modernet, me rrugë të asfaltuara, me trotuare me ndriçim, rrugica të asfaltuara me trotuare me ndriçim dhe gjelbërim ashtu siç e meritojnë shqiptarët.

Më tej Berisha tha se, në katër vite u arrit të ndërtohen dhe rindërtohen 8 mijë kilometra rrugë, ndër të cilat dhe korridore të mëdha kombëtare, u arrit të ndërtohen 1200 shkolla, u garantua uji i pijshëm për 95% të qytetarëve shqiptarë.

Sipas tij objektivi i radhës në katër vitet që vijnë është Durrësi qytet Europian i zhvilluar, Shqipëria vend Europian i zhvilluar.

Duke iu drejtuar kryesocialistit Edi Rama, shefi i bluve deklaroi se, “Për herë të parë në këto 20 vite shuajte ekranet e mediave që kontrollon për kundërshtarin tënd, rivalin tënd në Tiranë. Nuk kam këtu hallin aspak se e censurove Lulzim Bashën, sepse atë e dhanë të tjerët dhe absolutisht vetëm sa i shtove votat. Por na lëndove ne të gjithë shqiptarëve pavarësisht nga bindjet politike, në kujtesën tonë, kujtesën e censurës e kemi kujtesën më të zezë. Ndaj dhe më duhet t’ju bëj thirrje atyre mediave që urdhërove censurën, me 8 maj të votojnë alternativën e qytetarit, sepse do të marrë fund edhe diktati i zotit Edi Rama mbi to”.

Lidhur me ndërtimin e xhamisë në kryeqytet shefi i maxhorancës u shpreh se, Rama nuk di ç’bën, pasi shtoi se qëllimi i tij, nuk është për të lënduar besimtarët, por për të ndukur ndonjë votë, por kjo tha ai nuk mund të ndodhë, sepse përgjigjen e dha rinia dhe vota nuk mund te merret me këtë mënyrë.

Në përfundim Kryeministri Berisha tha se, “Këshillohu më mirë kur merresh me disa probleme dhe mos bej gafa të tilla, se nuk ndërtohet kisha dhe xhamia mbi toka të grabitura”.

a.y/NOA

KOMENTE