English

Blushi në Selanik: Votoni Niko Peleshin, jo Saliun prej allçie

Korçë, 1 maj 2011, NOA – Kryetari i bashkisë së Korçës, Niko Peleshi që rikandidon për një mandat tjetër në këtë bashki kundër atij demokrat Andrea Mano, u takua mbrëmë me bashkëqytetarë korçarë që jetojnë e punojnë në Selanik. Në këtë takim të hapur të zhvilluar në amfiteatrin e Selanikut merrte pjesë edhe deputeti socialist i Korçës, Ben Blushi, i cili i bëri thirrje korçarëve të Selanikut që në 8 maj të votojnë për Niko Peleshin dhe jo për “Saliun prej allçie” siç e cilësoi kandidatin e PD-së, Andrea Mano.

Deputeti Blushi, e cilësoi votën e emigrantëve një votë të lirë dhe përcaktuese.

Ai kërkoi që vota e 8 Majit të jetë votë edhe për viktimat e 21 Janarit.

Duke përmendur liberalizimin e vizave, sipas Blushit ishte sjellja dhe kontributi i emigrantëve që bindi Europën se shqiptarët duhet të jenë qytetarë të lirë të saj.

Kryebashkiaku i Korçës foli në këtë takim me bashkëqytetarët e tij për projektin e zhvillimit qytetit të Korçës.

Ai u kujtoi korçarëve të Selanikut rolin e rëndësishëm të emigracionit në zhvillimin ekonomik dhe social të Korçës.

Kryebashkiaku aktual i Korçës bëri një bilanc të arritjeve gjatë katër viteve të shkuara të punës në krye të bashkisë dhe theksoi elementet kryesorë të programit të tij “120 projekte për Korçën një hap përpara”.

Në këtë program për zhvillimin e Korçës, që njihej në kohën e para luftës si Parisi i vogël i shqiptarëve, përfshihen rigjenerimi i rrugëve dhe gjelbërimi, Korça si qendër administrative dhe universitare, bashkia në shërbim të qytetarëve, Korça si qytet social, mbështetja ndaj biznesit, Korça në art, Korça qyteti i turizimit, i festave etj.

Peleshi shprehu bindjen se edhe me kontributin e emigrantëve, Korça do të jetë qyteti me infrastrukturën më moderne në Shqipëri, një model social, dhe qendër e rëndësishme e ekonomisë kulturës dhe turizmit shqiptar.

Gjatë takimit, Peleshi dëgjoi edhe pyetjet e mendimet e bashkëqytetarëve të tij, problemet e shqetësimet e tyre dhe u premtoi se do të bëjë gjithçka për ta bërë Korçën qytetin që meriton të jetë.

Në takim përshëndeti edhe përfaqësuesi i PASOK-ut në Selanik Barbunakis, i cili shprehu optimizmin për hyrjen e Shqipërisë në Evropë dhe vlerësoi kontributin e shqiptarëve në zhvillimin ekonomik të Greqisë.

Në këtë takim merrte pjesë edhe koordinatori i PS-së për emigrantët Erion Veliaj, i cili i bëri thirrje emigrantëve që jetojnë jashtë Shqipërisë të votojnë për kandidatët e PS-së, dhe atyre korçarë për socialistin Niko Peleshi.

Veliaj i siguroi ata se PS ka marrë gjithë masat që vota e çdo qytetari të mbrohet nga vjedhja dhe manipulimi.

mit/NOA

KOMENTE