Tiranë, 1 maj 2011, NOA- I zgjedhuri i demokratëve Gerti Bogdani reagoi ditën e sotme lidhur me situatën problematike me plehrat në kryeqytet.
Sipas tij problemet me to jo vetëm që nuk po zgjidhen por po rëndohen dita-ditës, pasi tha ai jo vetëm që prishin pamjen por dëmtojnë dhe kërcënojnë rëndë shëndetin.
“Shumicën e kohës plehrat lihen në rrugë dhe trotuare duke u bërë burim i erës së keqe dhe rrezik për përhapjen e sëmundjeve të ndryshme. Në zonat periferike, shërbimi i mbledhjes së mbeturinave thuajse nuk ekziston, çka i bën këta qytetarë, qytetarë të dorës së dytë. Nëpërmjet hedhjes së mbeturinave në Lanë, Tirana është bërë një eksportues i ndotjes. Kompanitë e pastrimit shkelin disa nga pikat kryesore të kontratave me bashkinë dhe nuk ndëshkohen me gjobë për këtë: Asnjë nga gjashtë kompanitë e pastrimit nuk dezinfekton kontenierët e plehrave apo koshat, çka mund të bëhet shkak infeksionesh”, deklaroi Bogdani.
Në vijim deputeti demokrat tha se, dezinfektimi i kontenierëve të plehrave është i detyrueshëm dhe nëse kjo nuk ndodh, banorëve u rrezikohet shëndeti.
Ai shtoi se, kontrata e nënshkruar nga të dyja palët përfshin pastrimin dhe dezinfektimin
e kontenierëve 2 ose 3 herë në vit, por realisht kontenierët nuk janë dezinfektuar
kurrë dhe ata mbajnë erë shumë të keqe.
Sakaq ai theksoi se në kontratë parashikohen edhe transport të mbetjeve urbane, pastrimin e tregjeve publike, të rrugëve, grumbullimin dhe transportimin e materialeve inerte dhe voluminoze, mirëmbajtjen e pikave të grumbullimit të mbeturinave, dhe mirëmbajtjen e rrugëve kryesore në kryeqytet, por këto shërbime nuk janë ofruar kurrë rregullisht nga kompanitë e pastrimit.
Në mbyllje të fjalës së tij, Bogdani tha se, “Agjencia Rajonale e Mjedisit, pak kohë më parë, deklaroi se katër kompanitë e pastrimit në kryeqytet janë një nga shkaqet kryesore të ndotjes së mjedisit. Ekspertët e kësaj agjencie monitoruan katër firmat në mënyrë të vazhdueshme dhe konstatuan se puna e kompanive të pastrimit është e një cilësie shumë të dobët, në shkelje të kontratës së nënshkruar me Bashkinë”.
a.y/NOA