Durrës, 1 maj 2011, NOA – Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako u premtoi banorëve të lagjes nr. 14 të qytetit bregdetar se do të ndryshojë tërësisht infrastrukturën e saj gjatë mandatit të ardhshëm në krye të bashkisë së Durrësit. Në këtë takim me qindra banorë të zonës së Nishtullës Dako shpalosi projektet e tij për ndryshimin e infrastrukturës së kësaj lagjeje.
“Në mandatin e ardhshëm e gjithë kjo lagje do të asfaltohet pasi do të jetë në vëmendje të veçantë të Bashkisë së Durrësit. Do të shtrohet linja e ujësjellësit dhe do të rikonstruktohet tërësisht rruga kryesore e zonës së Nishtullave”, tha kryebashkiaku Dako.
Ai u premtoi banorëve të zonës se do të trefishohet numri i familjeve që përfitojnë ndihmë sociale.
Sipas Dakos ai është e vetmja rrugë për transformimin rrënjësor të lagjes 14.
Dako siguroi banorët se Bashkia me mundësitë e saj do të hapë 2000 vende të reja pune në mandatin e ri katërvjeçar.
Kreu aktual i bashkisë së Durrësit atakoi edhe rivalin e tij në këtë garë për Durrësin, Ferdinand Xhaferraj duke risjellë në vëmendje se Xhaferraj para 6 vitesh kishte premtuar hapjen e vendeve të punës për banorët e lagjes 14, e pas 6 vjetësh nuk ka bërë asgjë.
mit/NOA