English

Ja çfarë ofrojnë partitë shqiptare në zgjedhje

Shkup, 1 maj, NOA - Në zgjedhjet e 5 qershorit rreth gjashtë parti shqiptare do të garojnë me programet dhe platformat e tyre politike. Dosje, analiza, vizione, fakte dhe oferta konkrete për zgjidhjen e çështjeve të shqiptarëve janë pjesë e platformave dhe programeve politike.

Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje ka si ofertë Marrëveshjen e Ohrit dhe implementimin e saj të plotë. Zyrtarët e kësaj partie kanë theksuar se oferta e tyre është konkrete dhe se bazohet në garanci të forta ndërkombëtare dhe institucionale. Kjo parti zotohet për implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit, në rast se do të fitojë zgjedhjet.

Partia Demokratike Shqiptare hyn në zgjedhje me Marrëveshjen e saj të re të njohur si “Marrëveshja Politike”, në të cilën ofrohet pakt i ri politik mes shqiptarëve dhe maqedonasve në të gjitha sferat politike, ekonomike, shoqërore dhe institucionale. Kjo parti ka theksuar se ka si dokument bazë këtë marrëveshje që do të shpaloset edhe në fushatën zgjedhore.

Demokracia e Re ka paralajmëruar një platformë ndryshe politike, e cila do të jetë pranë votuesit dhe që do të shprehë avancimin e pozitës së shqiptarëve si dhe zgjidhjen e çështjeve deri tani të pazgjidhura në sferën e respektimit të Badenterit edhe në zgjedhjen e Qeverisë dhe çështje tjera.

Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) që për herë të parë garon në këto zgjedhje ka një platformë për rilindjen dhe rimëkëmbjen e dinjitetit të popullit shqiptar, avancimin e të drejtave dhe lirive të shqiptarëve, aspiratat për shtetëformësi, ndarja proporcionale e buxhetit dhe çështje tjera.

PPD në draftin e Platformës së saj shprehë vendosmërinë për reforma politike dhe kushtetuese për të ridefinuar dhe qartësuar statusin politik të popullit shqiptar, si dhe ndryshimet rreth pozitës së raporteve shqiptaro-maqedonase. Kjo parti ofron federalizimin multinacional, si një projekt funksional.

BDSH ofron Platformën Antidiskriminim të shqiptarëve në Maqedoni, nëpërmjet së cilës angazhohet për ridefinimin e shtetit të Maqedonisë si shtet binacional, përmes formës konfederale apo federale, që mund të me merr formën e njësive autonome të krahinave, të kantoneve apo strukturave të tjera si ndërmjetësuese përmes të cilave do të sigurohet funksionimi demokratik i shoqërisë shumë etnike dhe realizimi i të drejtave legjitime të shqiptarëve në Maqedoni.

BDK deri tani ka konfirmuar pjesëmarrjen në zgjedhjet e 5 qershorit, mirëpo kjo parti nuk ka parlajamëruar se cila do të jetë oferta për votuesit shqiptarë, duke përfshirë edhe platformën tashmë të njohur të këtij subjekti për federalizim.

Në kuadër të këtyre zgjedhjeve janë paralajmëruar edhe nisma qytetare, mirëpo deri tani nuk është bërë promovimi i asnjërës prej tyre.

NOA/INA

KOMENTE