English

Kërcënohen me armë fëmijët e kandidati të PS, Stefan Çipa

Sarandë, 1 maj, NOA – Dy djemtë e kandidati të Partisë Socialiste për në Bashkinë e Sarandës, Stefan Çipa janë kërcënuar dje me armë. Lajmi është konfirmuar nga vet kandidati dhe ish-deputeti i Parlamentit, Stefan Çipa, i cili tha se dy djemtë e tij janë kërcënuar bashkë me persona të shtabit të tij elektoral, paraditen e djeshme.

Çipa ka denoncuar dhe dhunimin e posterave elektoral dhe gjithë mjeteve propagandistike gjatë ditës së djeshme. Sipas tij, kërcënimi ka ndodhur paraditen e djeshme në një prej lokaleve të qytetit bregdetar, pas një debati që kanë pasur dy djemtë e tij me vëllain e Drejtorit të Urbanistikës në Bashkinë Sarandë.

Pas konfliktimit me armë, i afërmi i shefit të Urbanistikës ka marrë në telefon dy persona, të cilët kanë shkuar në lokal me një makinë me targa të huaja. Një prej personave, ende të paidentifikuar, ka nxjerrë armën dhe e ka drejtuar nga djemtë e kandidati të PS.

Është dashur ndërhyrja e kandidatit Çipa për të shmangur një incident që mund të ishte me pasoja tragjike. Më pas në vendngjarje ka mbërritur policia dhe ka arrestuar dy personat. Sipas kandidatit Çipa, dy personat që kërcënuan më armë nuk janë nga Saranda, por nga zona të tjera të vendit.

“Policia dhe organet e ligjet duhet të zbatojnë ligjin. Unë jam kandidat dhe kam një përvojë të mëparshme ligjore dhe i njoh kompetencat. Duhet të shmangen gjëra të tilla. Kam komunikuar dhe me rivalin tim z. Gjoka dhe i kam thënë të mos fusë një frymë të tillë në fushatë dhe të largojë përplasje. Ky incident ka filluar që dje në mëngjes dhe këta njerëz të importuar në Sarandë, kanë krijuar këtë ngjarje, sepse gjatë gjithë kësaj kohe nuk ka pasur incidente të tilla”, tha Çipa në një prononcim dhënë sot për televizionin “Ora-News”.

a.k/NOA

KOMENTE