English

Lëvizja Zgjohu: Rama pasuron miqtë, ndere miliardere në kurriz të taksapaguesve

Tiranë, 1 maj 2011, NOA- Lëvizja Zgjohu, paraqiti për mediat rastin e 5 kompanive të cilave Bashkia e Tiranës, nuk u mbledh prej vitesh tarifat dhe taksat bashkiake.

“Jemi këtu për të treguar me prova, me fakte e me grupfakte se miqtë e Edi Ramës trajtohen ndryshe nga Bashkia e Tiranës, se ato mund të mos i paguajnë detyrimet për vite të tëra. Kjo ndodhte disa shekuj më parë në Europë, në një kohë tjetër, atë të aristokracisë ku disa njerëz nuk paguanin taksa! Dhe Tirana kështu po funksionon! Disa, jo sepse janë aristokratë por se janë njerëzit e Kryebashkiakut nuk paguajnë taksa, kurse ne të tjerët paguajmë dhe atë që se kemi! Ne paguajmë taksën e tabelës megjithëse shpesh s’kemi as tabela, ndërsa miqtë e Kryebashkiakut megjithëse kanë qindra tabela gjigande në Tiranë, nuk paguajnë asnjë qindarkë”, thuhet në qëndrimin e lëvizjes Zgjohu.

Zirkon Disha, përfaqësues i kësaj lëvizje tha se, punonjës të ndershëm të bashkisë dhanë listën e këtyre kompanive dhe gjendjen e detyrimeve ndaj arkës së popullit të kryeqytetit dhe sipas tij, kjo tregon se kur disa qytetarë të angazhuar për të kërkuar një Tiranë më të mirë gjetën këto dokumente, është e paimagjinueshme çfarë fshihet pas ajsbergut të Bashkisë!

Zgjohu deklaron se, deri më datën 26 prill 2011, dokumentat tregojnë se kush janë detyrimet e pambledhura nga Bashkia Tiranë prej vitesh për kompanitë ku përfshihet Koço Kokëdhima dhe milionat e tij:

1.Shoqeria Platea 44,231,016 leke
2.Shoqeria 2K Finance Investment Group 58,603 leke
3.2K Group 294,917 leke
4.Shoqeria Metro 122,661,132 leke
5.Shoqeria Abissnet 2,737,340 leke
6.Shoqeria 2K deri me 31 dhjetor 2010 9,500,675 leke
Totali i detyrimeve 179,483,683 leke

Disha theksoi se Kokëdhima si aksioner i përfshirë në këto kompani e ka gjetur rrugën e suksesit, rrugë e cila të bën milioner.

“Detyrimet e papaguara shkojnë në një vlerë të përafërt të detyrimeve të 2000 bizneseve të vegjël, të cilët në rast mospagese në kohë, përveç gjobave absurde detyrohen të mbyllin dhe biznesin. Me të drejtë shtrojmë pyetjet: Sa të barabartë janë taksapaguesit, para këtij institucioni? Kjo është e vetmja rrugë për tu bërë milioner?

A mbajnë përgjegjësi ligjore deri penale zyrtarët e Bashkisë për mosmbledhje taksash dhe favorizim të biznesit? Përse Kryebashkiaku bën favore miliardash? A kompensohet ai për “nderet” miliardere”, përfundon qëndrimin Lëvizja Zgjohu.

Në deklaratën e saj theksohet se ekzistojnë edhe dokumentet reale për këto kompani dhe për mosmbledhjen e taksave ndaj tyre, madje thuhet se kryebashkiaku Rama bën ndere miliardere në kurriz të taksapaguesve të Tiranës.

a.y/NOA

KOMENTE