Tiranë, 1 maj NOA – Paraditen e sotme Sindikata e Minatorëve ka zhvilluar një protestë para Ministrisë së Ekonomisë me rastin e ditës së 1 Majit. Disa dhjetëra minatorë kërkuan nga institucionet shtetërore që të merren parasysh kërkesat e tyre ekonomike. Disa nga kërkesat kryesore të tyre janë; rishikim i moshës së pensionit dhe rritje e pensionit minimal.
Në emër të Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri deklaroi se kategoria e minatorëve është e vetmja që proteston në një ditë të tillë që është dita e gjithë punëtorëve. Ai ka theksuar se sot është një ditë proteste për kushte dhe trajtim me të mirë për gjithë punëtorët shqiptarë.
“Sot ne treguam se kjo është një ditë e veçantë. Ne kemi përdorur të gjitha mjetet institucionale në vazhdim të kërkesave tona, por mendojmë se tani është koha ta ndëshkojmë me votë këtë qeveria antipopullore. Kur nuk funksionon demokracia, kur qeveria bën të shurdhrin, ne kemi armën tonë të vetme votën. Në rast se dhe kjo nuk funksionon do përshkallëzojmë protestat”, tha gjatë fjalës së tij para tubimit, Fiqiri Xibri.
a.k/NOA