English

Presidenti dhe Zonja e Parë takohen me Atin e Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit

Romë, 1 maj 2011, NOA – Pas ceremonisë madhështore të Lumturimit të Papës Gjon Pali i Dytë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi dhe Zonja e Parë, Teuta Topi u pritën në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI. Zyra e shtypit e presidencës bën me dije se presidenti Topi dhe Zonja e Parë ndoqën nga afër të gjitha ritualet fetare të meshës solemne të Lumturimit të Papës Gjon Pali II, mes mjaft personaliteteve të larta shtetërore italiane, krerëve të shteteve e qindra besimtarëve.

Ceremonia madhështore e organizuar nga Selia e Shenjtë dhe e udhëhequr nga Ati i Shenjtë, Papa Benedikti XVI, nisi në orën 10.00 dhe u përcoll me emocion për rreth dy orë, jo vetëm nga të pranishmit, por edhe nga shikuesit anembanë botës.

Në përfundim pjesëmarrësit e shumtë, nën autoritetin apostolik të Papës, festuan hapin e parë të hedhur drejt shenjtërimit të plotë të Papës Gjon Pali II.

Gjatë takimit Presidenti Topi falenderoi Benediktin XVI për këtë nderim të veçantë, dhe njëherësh shprehu kënaqësinë dhe vlerësimin e madh për ceremoninë e shenjtë e solemne të Lumturimit të Papës Gjon Pali II.

Presidenti Topi rikujtoi me krenari dashamirësinë dhe miqësinë që pati demonstruar Papa Gjon Pali II për shqiptarët, e veçanërisht për Nënë Terezën, të cilën e cilësoi si ‘përfaqësuesen më të mirë të popullit shqiptar dhe të Kishës Katolike në dimensione botërore’.

Kreu i Shtetit shqiptar sprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e përkrahjen e madhe që Selia e Shenjtë i ka dhënë në mënyrë të vazhdueshme konsolidimit të demokracisë, por edhe bashkëjetesës fetare në Shqipëri.

Papa Bendikti XVI theksoi gjatë takimit se Selia e Shenjtë do të vazhdojë të mbështesë plotësisht Shqipërinë në aspiratën e saj integruese përdrejt Bashkimit Europian.

Ati i Shenjtë vlerësoi lart bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare që ka karakterizuar popullin shqiptar gjatë gjithë historisë së tij shekullore.

mit/NOA

KOMENTE