Sarandë, 1 maj 2011, NOA – Pas kallëzimit penal të kandidatit socialist për bashkinë e Sarandës, Stefan Çipa, i kërcënuar dje bashkë me familjen e tij nga një shtetas tjetër, uniformat blu të qytetit jugor kanë nisur hetimin në gjendje të lirë të shtetasve Adrian Andrea Papagjika, 43 vjeç dhe Odise Çipa, 45 vjeç, që të dy banorë të Sarandës.
Policia e Sarandës bën me dije se procedimi penal ndaj Adrian Papagjikës nisi në orët e para të mëngjesit pasi i ndaluari pretendohet se kishte kërcënuar me armë kandidatin Stefan Çipa.
Ngjarja nisi rreth orëve të mbrëmjes, gjatë transmetimit të një ndeshje futbolli, kur Papagjika kishte debatuar me nipin e Stefan Çipës, Odisenë, i cili ishte në lokalin “Jesa” që ndodhet në lagjen nr. 4 në qytetin bregdetar bashkë me dy djemtë e kandidatit Stefan Çipa, Jorgo e Marko Çipën.
Sipas policisë bëhet me dije se pas debatit mes tyre, ka shkuar në vendngjarje kandidati për kryebashkiak Stefan Cipa.
Pas debatit pas Odise Çipa dhe Adrian Papagjika janë rrahur mes tyre, nga ku është lënduar shtetasi Andrea Papagjika.
Pas pretendimit të një kërcënimi me armë zjarri kundrejt Stefan Cipës, nga kontrollet e ushtruara në automjetin e Adrian Papagjikës si dhe banesat e personave me të cilët ai ishte shoqëruar nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.
Policia e Shtetit po heton për zbardhjen e plotë të shkaqeve të ngjarjes ku u përfshi kandidati socialist për Sarandën, ish-deputeti dhe ish-ministri i Brendshëm në qeverinë socialiste Stefan Çipa.
Adrian Papagjika dhe Odise Çipa janë tashmë nën akuzë për kanosje dhe dëmtime me dashje.
mit/NOA