English

Të ketë a të mos ketë kandidati identitet politik?

Nga Besnik Mustafaj

Gjatë një takimi me një grup përfaqësuesish të vëzhguesve lokalë për zgjedhjet e 8 majit, Presidenti i Republikës tërhoqi vëmendjen edhe mbi një mangësi thelbësore të kësaj fushate,për të cilën nuk kam vënë re të flitet, nga politika garuese jo e jo, por as nga analistët e pavarur të politikës. Presidenti Topi tha: “… me shqetësim kemi konstatuar një numër kandidatësh nominalë me probleme në identitetin politik dhe në cilësitë e përfaqësimit”. Vërejtja e presidentit Topi, sado e shprehur në kuadrin e përgjithshëm të një thirrjeje për standarde në zgjedhjet e afërme, meriton një shqyrtim të veçantë qoftë edhe duke e ditur se tashmë është tepër vonë për të ndryshuar diçka për këtë here.

Problemet në identitetin politik të kandidatëve nominalë për bashkitë dhe komunat, si dhe në cilësitë e tyre përfaqësuese, burojnë para së gjithash nga fakti se vetë partitë që i kanë kandiduar paraqiten me një identitet politik fort të zbehtë dhe më së shpeshti pa identitet fare. Kur është fjala për zgjedhjet, qofshin ato edhe për pushtetin vendor, identiteti politik i një partie si formacion me unitet pasqyrohet te programi me të cilin ajo kërkon të fitojë besimin e elektoratit. Kështu ka qenë dhe kështu do të jetë gjithmonë në një shoqëri të organizuar në mënyrë demokratike. Nga ky rregull nuk mund të bëjnë përjashtim as fushatat për pushtetin vendor në Shqipëri. Janë disa parime pastërtisht politike, që funksionojnë universalisht për të dalluar një parti të djathtë nga një parti e majtë, në dritën e të cilave shtatmadhoria e partisë shqyrton realitetin e mbarë vendit dhe përcakton perspektivat e zhvillimit të tij. Thënë ndryshe, ky është programi i partisë për zgjedhjet, që mandej specifikohet logjikisht komunë për komunë dhe bashki për bashki, në përputhje me veçoritë dhe problematikat e secilit rast. E vërteta është se në të pesta herët që janë zhvilluar te ne zgjedhjet për pushtetin vendor, nga viti 1992 e deri në vitin 2007, ky program ka munguar tërësisht te partitë pjesëmarrëse në zgjedhje. Sivjet, më duket, Partia Republikane e ka bërë një përpjekje të vlerësueshme për të pasur një program të tillë. Partia Demokratike e ka një farë skice, e cila nuk është pa vlera, por është e pamjaftueshme për të qenë një program i mirëfilltë, ndërsa Partia Socialiste vazhdon të mos ketë asnjë gjurmë programi kombëtar me vizionin e saj politik mbi pushtetin vendor. Rrjedhimisht, ku më shumë, e ku krejt, mungon lënda konkrete mbi të cilën do të nxirrej natyrshëm gjykimi mbi identitetin politik të një partie a të një tjetre.

E keqja e mungesës së këtij identiteti politik të partive tek ne nuk mbetet vetëm në suazën e shkencës së politikës. Përjashtuar Lulzim Bashën, i cili në disa raste, tani së fundi, i ka dhënë ligjërimit të tij elektoral edhe konotacione të mirëfillta politike, të gjithë kandidatët e tjerë, me aq sa kam mundur unë t’i ndjek në media, kanë një ligjërim fund e krye apolitik, aq sa paraqitjet e tyre publike nuk dallojnë gjëkundi për nga fjalori dhe stili me paraqitjen e dikujt që synon të marrë drejtimin e një kompanie të madhe industriale. Përjashtuar Bashën, pra, i cili ka hapur një dritare të re mbi demokracinë qytetare me forumin “Townhall” që organizoi, si dhe me premtimin për referendume qytetare, asnjë tjetër nuk është kujtuar të prekë një problem të tillë, aq sa lënë përshtypjen se asnjëri prej tyre nuk e ka lexuar as edhe sa për kureshtje, Kartën e Këshillit të Europës për Autonominë Lokale, ku demokracia qytetare përbën një nga shtyllat kryesore. Po ashtu, nuk shoh të jenë prekur probleme madhore për një qeverisje vendore në Shqipërinë e sotme, si ato që kanë të bëjnë me kohezionin social të komunitetit. Premtime të bollshme për ulje apo shkurtime të ndjeshme taksash, për hapje vendesh të reja pune e për plane urbanistike, për reformime rrënjësore në metodën e drejtimit apo në sistemin e asistencës sociale, ngjajnë gjithsesi të pabesueshme pikërisht pse shqiptohen me një gjuhë të fryrë teknike, jashtë një identiteti politik të përcaktuar qartë e për pasojë, kanë vështirësi t’ia arrijnë qëllimit për të siguruar mbështetës. Dhe, një identitet të tillë e kanë shumë të vështirë, në mos të pamundur, ta sajojnë në vetvete kandidatët kur nuk kanë një kornizë parimore të formuluar më parë nga partia nëpërmjet ofertës së vet kombëtare, që është programi. Çfarë alternative do të përfaqësojnë kandidatët veç e veç në këtë kontekst eklektik dhe të shthurur?

Presidenti Topi, duke folur për probleme në identitetin politik të kandidatëve dhe në cilësitë e tyre të përfaqësimit, ka pasur, ma merr mendja, parasysh, edhe një çudi shqiptare të përfolur gjerësisht në media gjatë kësaj fushate. Fjala është për një numër jo të vogël kandidatësh për kryetarë bashkish e komunash, të cilët, nga një legjislaturë në tjetrën, kanë kaluar nga njëri krah i politikës në të kundërtin, me arsyen e vetme për të fituar ose mbajtur pushtetin, pavarësisht nga justifikimet “në emër të interesave të komunitetit” që kanë gjetur ata për veprimin e tyre. Ky soj, sigurisht që janë kandidatë pa identitet vetjak politik, por mangësia e tyre individuale shndërrohet në problem për komunitetin dhe madje edhe për shoqërinë kur ata synojnë të marrin një mandat përfaqësimi dhe të na drejtojnë për katër a më shumë vjet. Ata nuk do të mund të kryenin publikisht kapërcime të tilla në qoftë se partitë do të kishin një identitet politik të qartë, të cilin do ta mishëronin me bindje në programet e tyre elektorale. Një fenomen i tillë dëshmon për papjekurinë e organizatave tona politike edhe pas njëzet vjetësh demokraci dhe pengon në vazhdim arritjen e kësaj pjekurie të domosdoshme për të pasur alternativa në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale. Demokracia ka qenë gjithmonë thelbësisht vepër e politikës, dhe kështu do të vijojë të jetë deri në një përvojë të re, përvojë që nuk do ta krijojë për së pari Shqipëria.

I shohim kandidatët për drejtues të pushtetit vendor sot si kurrë më parë në këto dy dekada, nga ata më “të mëdhenjtë” e deri tek më “të vegjlit”, të flasin para njerëzisë vetëm me “Unë”. Rrallë, në mos fare-fare, ata përmendin forcën politike që i ka kandiduar. Madje, në shumë raste, edhe nga posterat e spotet elektorale e kanë hequr logon e forcës politike apo të koalicionit që i mbështetet. “Unë do të bëj… Unë do të përmbush… Ju do të më shihni mua…”. Ata zotohen krejt serbes, vetëm në vetën e parë, se do ta shndërrojnë mirëfilli në parajsë tokësore komunën apo bashkësinë që do të drejtojnë po u votuan. Lum kush të rrojë e ta shijojë! Me sa kam parë unë në botën e zhvilluar, një protagonizëm kaq i shfrenuar është i pashembullt. Ata paraqiten vërtet si njerëz me ëndrra të mrekullueshme dhe të pajisur me fuqi të mbinatyrshme, të cilët kanë ardhur individualisht të vihen në shërbimin tonë, për të na e zbukuruar jetën. Bravo iu qoftë! Por, duke arsyetuar për një çast brenda standardeve minimale politike, duhet thënë se sjellja e tyre doemos që është në thelb papërgjegjshmëri publike, defektet në karakterin e tyre si qytetarë gjejnë rast të lulëzojnë, jo pse publiku ynë është mendjeshkurtër. Sjellja e tyre kaq “protagoniste”, pa asnjë identitet politik, është pasojë e mungesës së identitetit politik të partive që i kanë zgjedhur, çka cenon rëndë vetë cilësinë e përfaqësimit.

Edhe në bazë të Kushtetutës, dhe të një kuadri të gjerë ligjor në fuqi, por edhe në bazë të praktikes në ushtrimin e pushtetit vendor në këto njëzet vjet, kompetencat e kryetarit të bashkisë apo të komunës nuk janë të pakufishme. Kryetari është i detyruar t’i nënshtrohet një kontrolli të rreptë dhe sistematik nga ana e këshillit bashkiak apo komunal. Ndërkohë, e gjithë fushata është e përqendruar te kandidatët nominalë e vetëm tek ata. Ndërkohë, në të njëjtën ditë do të zgjidhen anëtarët e këshillit, të cilët dalin nga votat që mbledh partia, dhe jo nga ato që mbledh kandidati për kryetar. Ky aspekt mungon në fushatë. Nuk i shohim partitë, sidomos dy të mëdhatë, të kërkojnë votë për veten. Pse nuk shqetësohen në fund të fundit kandidatët për këtë mungesë, por ngopen me protagonizmin e tyre apolitik? Në këto dy dekada ne kemi shumë përvoja të pakëndshme të bashkëjetesës së një kryetari me një këshill të ngjyrave të ndryshme partiake, bashkekzistencë që nuk ka qenë dhe aq harmonike. Janë të shpeshtë shembujt kur këshilli bashkiak nuk ka miratuar as buxhetin e bashkisë, vetëm pse kryetari i përkiste forcës politike kundërshtare dhe si i tillë, duhej penguar me çdo kusht, apo dhe e kundërta, kur kryetari i bashkisë, me shumicën në këshill nga familja tjetër politike, e përçmon atë haptas si armike. Këta shembuj nxjerrin në pah qartazi cilësinë problematike të përfaqësimit politik qoftë nga kryetari, qoftë nga këshilltarët. Kjo cilësi e dobët përfaqësimi, që e shqetëson me të drejtë edhe Kryetarin e Shtetit, është përcaktuar si e tillë qysh në momentin e përzgjedhjes së kandidaturave nga partitë, është legjitimuar publikisht gjatë fushatës dhe është vulosur me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve nga KQZ-ja. Edhe për një fenomen të tillë, të dëmshëm në fjalë të mbrame për komunitetin e vetëm, unë nuk gjej shpjegim tjetër me të besueshëm veç mungesës së identitetit politik të partive. Në mungesë të një programi kombëtar, ku do të mishërohej ky identitet, partitë fshihen lehtësisht pas kandidatit, i lënë atij krejt barrën e fushatës, sepse nuk kanë ç’t’i thonë komunitetit dhe presin që nesër ta përdorin “de facto” pushtetin e kryetarit në të ashtuquajturën “lojë të madhe” politike.

Presidenti Topi shtroi një problem të madh para mbarë politikës sonë. Kuptohet që tani, një javë para zgjedhjeve, nuk ka më kohë për të korrigjuar, sado pak, diçka në këtë realitet. Neve na mbetet të bëjmë si të bëjmë edhe këto katër vjet, me njerëzit që do të zgjedhim për të na udhëhequr në pushtetin vendor. Por duhet të shpresojmë se kjo vërejtje e Kryetarit të Shtetit do të mbahet mend për t’i shërbyer të ardhmes.

Gazeta “Panorama”

KOMENTE