English

Veliaj: 1 Maji i bashkon socialistët me demokratët, të gjithë janë papunë

Tiranë, 1 maj 2011, NOA- Erjon Veliaj koordinator i të rinjve të Çadra Rinore e Partisë Socialiste, gjatë ditës së sotme u ka treguar vullnetarëve të mbledhur se çfarë do bëjnë në ditët e fundit.

Veliaj ka dhënë porosi për të rinjtë që t’i zgjasin dorën gjithkujt, edhe atyre të rinjve që janë demokratë.

Gjatë fjalës së tij ai u shpreh se, “Kanë mbetur edhe 5 ditë nga fushata zgjedhore. Ditën e gjashtë është heshtje zgjedhore dhe ditën e shtatë duhet të shkojmë të inaugurojmë fitoren për Tiranën dhe për të gjithë Shqipërinë. Kjo betejë ende nuk ka përfunduar dhe doja t’ju thoja diçka për pesë ditët e fundit të kësaj beteje. Janë ditë që janë një sprint dhe në një vrap për të gjithë ne”.

Sipas tij, kjo betejë elektorale po bëhet me hile në çdo pjesë të saj, madje shtoi se nëse kjo betejë do të ketë një arsye të fortë për të fituar është që të fitojë beteja për djemtë dhe vajzat e ndershëm, jo ata të hileve.

Premtimet e maxhorancës dhe të kandidatëve të saj ai i ka cilësuar si mashtrime të vjetra që po kthehen në premtime të reja.

“Unë doja që t’ju ftoja që secili prej jush të ftonte në këtë fushatë, t’i jepte dorën, t’i hidhte krahun në qafë çdo djali, çdo vajze, edhe të PD”, theksoi Vleiaj.

Në ditën e 1 majit, ai tha se vetëm këtu bashkohen demokratët dhe socialistët, pasi janë të gjithë të papunë.

Më tej ai tha “E dini çfarë kemi të përbashkët me ata të PD, djemtë dhe vajzat e ndershëm? Që të gjithë ata mendojnë që përpara ecet me punë, me ndershmëri, me talent jo thjesht sepse je djali i vogël i Saliut, jo sepse e ke babin deputet, jo sepse e ke mamin ministre. E për të gjithë ata djem dhe vajza të ndershëm të PD kjo është edhe beteja e tyre. Studentët e PD dhe studentët e PS janë gënjyer njësoj për punësimin. Janë gënjyer njësoj për kartat e studentëve që nuk erdhën kurrë”.

a.y/NOA

KOMENTE