English

Vëzhguesit: Kryeministri dhe Kryesocialisti përfshijnë në fushatë administratën

Tiranë, 1 maj 2011, NOA- Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë gjatë ditës së sotme ka paraqitur për publikun dhe mediat raportin e dytë për monitorimin e zgjedhjeve të 8 majit.

Në raportin e KVV-ve thuhet se, mungesa e reformës zgjedhore ka krijuar disa probleme dhe paqartësi siç është, pragu elektoral për mandatet në këshillat vendorë, ndryshimi i afateve të parashikuara që kanë të bëjnë me printimin e fletëve të votimit si dhe caktimi i anëtarit të katërt të Grupeve të Numërimit të Votave.

Theksohet se edhe në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mungon fryma e bashkëpunimit real, duke u shfaqur si një organ i anuar dukshëm politikisht.

Sipas raportit, asnjë nga partitë politike nuk e ka respektuar në mënyrë të plotë afatin e 23 Marsit për depozitimin e emrave të kandidatëve për Komisionet e Qendrave të Votimit.

Më tej thuhet se, pavarësisht se Kodi Zgjedhor parashikon datën 8 Prill si afatin e fundit të dorëzimit të listave nga njësitë vendore pranë KZAZ-ve, jo të gjitha njësitë vendore i dorëzuan në kohë këto lista.

“Fushata është mbizotëruar kryesisht nga liderët e dy partive më të mëdha politike dhe fare pak ose aspak nga partnerët e tjerë të koalicioneve. Në fillimet e saj fushata shënoi një sërë incidentesh dhune të nxitura nga shkaqe dhe emocione politike të militantëve. Koalicioni kërkoi publikisht dënimin e akteve të dhunës nga drejtuesit e partive politike dhe ushtrimin e autoritetit të tyre për të kontrolluar militantët”, thuhet në raport.

Konstatohet se ka një angazhim të konsiderueshëm të administratës lokale apo qendrore në aktivitetet elektorale të partive, sidomos në ato ku merr pjesë Kryeministri apo Kryetari i opozitës.

Ndërkaq një element i kritikuar nga Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë është edhe fakti i mungesës së përballjeve mediatike mes kandidatëve.

Edhe premtimet e tyre, janë cilësuar si joserioze, përderisa nuk janë ofruar projekte dhe alternativa të qarta të shoqëruara edhe me planifikimin e menaxhimin financiar në gjetjen e burimeve të financimit.

Ndërkaq edhe për mediat thuhet se në shumicën e rasteve kanë shfaqur dhe mbajtur njëanshmëri politike.

Sipas Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë, evidentohet se, monitoruesit vendorë nuk janë trajnuar dhe as nuk kanë infrastrukturë në dispozicion për monitorimin e fushatës në mediat lokale.

Kritikohet dukshëm edhe roli i gruas në zgjedhjet vendore dhe evidentohet se në të gjitha nivelet e përfaqësimit, qoftë edhe në përbërjen e komisioneve përballja është e tillë:

- Në propozimet e bëra nga Partia Demokratike 33.33 % janë gra

- Në propozimet e bëra nga Partia Socialiste 36.96 % janë gra

- Në propozimet e bëra nga PBDNJ 15.15 % janë gra

- Në propozimet e bëra nga LSI 18.18 % janë gra

a.y/NOA

KOMENTE