English

Basha: Klithma qytetare kërkon bashkëvendimmarrje

Tiranë, 2 maj 2011, NOA- Iniciativa për Tiranën ishte takimi i kësaj pasditeje për kandidatin e maxhorancës Lulzim Bashës, me artistë, pedagogë, gazetarë dhe intelektualë të kryeqytetit.

Gjatë fjalës së tij Basha tha se, alternativa e “Aleancës për qytetarin” ka në qendër qytetarin, pasi edhe momenti në të cilin ndodhet vendi është një rëndësi historike, duke vendosur votën e qytetarit si instrumentin e zgjedhjes.

Ai shprehu bindjen se çdokush i ka ndjerë dilemat e punësimit dhe profesionalizmit për shkak të ndasive dhe ngjyrave partiake.

“Ditë për ditë dhe muaj për muaj po i largohemi shtëpisë së përbashkët që quhet Tiranë, duke u bërë përditë spektator të teatrit ku është lënë jashtë vëmendjes qytetari. Iniciativa për Tiranën na ka mbledhur të gjithë bashkë dhe sot, pasioni bëri atë që quhet broshurë, por që në fakt është kopja e parë e kodikëve e krijuar nga qytetarët, që thërret për angazhim të vërtetë qytetarin në çdo nivel, pasi bashkia është në shërbim dhe në funksion të qytetarëve”, deklaroi i kandiduari i maxhorancës.

Më tej ai shtoi se, edhe fjala Bashki tregon bashkimin në një qytet që është familja e madhe e qytetarëve, ku asnjë qytetar nuk duhet të jetë i humbur.

Iniciativa për Tiranën do të kthehet vetëm me alternativë pune, vendimmarrje ku askush të mos mënjanohet nga interesat, pasi bashkia e kryeqytetit mban 40% të ekonomisë së vendit, tha ai dhe për këtë bashkëvendimmarrja do të vihet në jetë.

Sipas tij, klithma qytetare kërkon bashkëvendimmarrje, ku Basha e prezantoi këtë mënyrë të vepruari si risi të programit të tij.

Në vijim ai vlerësoi shpirtin e qytetarëve, duke thënë se përulet para vlerave, të cila ai i cilësoi si vlera të gjithë shqiptarëve dhe që duhet të qëndrojnë në interes të qytetit dhe qytetarëve të Tiranës.

“Ka një bashkim të madh të angazhimit të qytetarëve të Tiranës kudo që i kam takuar, të angazhimit qytetar dhe programit ku unë besoj, së pari të mënyrës së të bërit të politikave vendore, por ju jeni premtimi se qytetarët nuk do jenë peng të teatrit politik”, theksoi ai.

a.y/NOA

KOMENTE