Tiranë, 2 maj 2011, NOA- (Update) Në takimin e organizuar nga Iniciativa për Tiranën, i vetmi kandidat që iu përgjigj thirrjes për interesin e qytetarëve ishte Lulzim Basha.
Në fjalën e tij ai u shpreh se asnjë centimetër katror tokë publike dhe hapësirë e gjelbër nuk do të preket, por për qytetarët do të ndërtohet një park tjetër.
“Ka një plan të qartë në një kalendar të detajuar gjithçka nis me aprovimin dhe bërjen të zbatueshme të planti Urbanistik të Tiranës. Të gjitha projektet që unë kam prezantuar para qytetarëve të Tiranës, janë konsultuar mirë, dhe unë them se realizueshmëria e tyre është provuar përtej çdo lloj dyshimi, problemi është nëse do lejojmë që këto projekte të politizohen dhe të pengohen, unë besoj se rruga jonë është rruga për të ecur përpara dhe rruga tjetër është rrugë e vjetër dhe ne nuk kemi nevojë për rrugën e vjetër”, deklaroi Basha.
Kandidati i maxhorancës tha se, me përfundimin e Planit Urbanistik të Tiranës, leja e ndërtimit pushon së qeni një instrument i pushtetit vendor, dhe nëpërmjet një referendumi qytetar, ai theksoi se do të bëhet e mundur që lejet e ndërtimit të merren online, dhe nëpërmjet Planit Urbanistik synohet të bëhet transparenca maksimale.
Më tej ai tha se instrumentet e bashkisë do përqendrohen aty ku nuk kanë qenë.
Sakaq ai shtoi se, transparenca e tij personale si kandidat është ofruar maksimalisht dhe ka shënuar një standard evropian, madje u shpreh krenar, duke theksuar se disa gjëra janë bërë edhe në kurrizin e tij dhe atë të familjes.
“Në platformën e transparencës kam dëshmuar disa përqasje që tregojnë mungesën e transparencës këtu në Tiranë, ashtu sikurse mungon transparenca në bashki, fshehja e të dhënave dhe manipulimi i tyre dëshmojnë se plani im për të bërë transparent çdo shpenzim të bashkisë, në faqen e saj të internetit. Personalizimi i vendimmarrjes është një nga problemet më të mëdha që shoqëria ka sot”, deklaroi kandidati i maxhorancës për kryebashkiak.
a.y/NOA