English

Basha: Pas 8 majit merr fund abuzimi mbi pronën

Tiranë, 2 maj 2011, NOA - Kandidati demokrat për bashkinë e Tiranës Lulzim Basha deklaroi sot se pas 8 majit do t’i jepet fund praktikave abuzive për pronën private. Gjatë takimit me banorë dhe grupe interesi në njësinë bashkiake nr. 7 në kryeqytet Basha i garantoi qytetarët se brenda 6 muajve të parë do të bëhet hipotekimi i apartamenteve që ende nuk kanë çertifikatë pronësie.

Kjo deklaratë erdhi pasi kandidati Basha u njoh me shqetësimet e banorëve të kësaj njësie për prishjen e ndërtimeve të tyre nga bashkia dhe për ndërtimin e rrugëve pa plan dhe pa dëmshpërblim për pronën private.

“Na kanë prishur muret pa shpronësim pa leje pa gjë fare. Absolutisht pa gjë fare. Vetëm për fushatë po bëhet kjo. Asgjë, as për ujërat e bardha, as ujërat e zeza, as ujët e pishëm, këtu është kot”, ishte një nga shqetësimet e qytetarëve.

“Do ta fillojmë me një marrëdhënie të re ku qytetarët dhe Bashkia të jenë në kontakt të vazhdueshëm dhe të marrin vendimet me konsensus. Për çdo gjë që bëhet për lagjet tona, çdo gjë që ka lidhje me shtëpitë tona, ju do të dini në rradhë të parë se çfarë projektesh ka. Së dyti do keni mundësi të bashkëvendosni me Njësitë Bashkiake dhe Bashkinë për këto projekte. Çdo centimetër katror i pronës tuaj do respektohet”, u shpreh Basha.

Ai i siguroi banorët se “Leja e shfrytëzimit nga Bashkia do të mbyllet në kohën më të shkurtër. Maksimalisht me 15 nëntor ju do keni hipotekat”.

Gjithashtu ai dëgjoi ankesat për mungesën e mbikalimit apo nënkalimit në këtë zonë, mungesa që bëhen shkak për aksidentet.

Këtu Basha premtoi se “Ne do të ndërtojmë të paktën dy nënkalime që të jenë të pandërprera, të jenë të pamundimshme, që të mund të ecin fëmijët, të moshuarit, njerëzit me karroca. Pra do të jetë me standardet optimale dhe e ndriçuar”.

Basha u premtoi banorëve se e vetmja betejë e tij në krye të bashkisë, do të jenë shqetësimet e qytetarëve.

Duke folur me të rinjtë në një takim të së dielës mbrëma në zonën e “Ali Demit”, Basha u tha atyre se ka gati një plan që garanton mbështetje për punësimin, strehimin dhe arsimimin e tyre.

“Unë njoh dhe do të njoh përgjegjësinë time si kryebashkiak se për mua punësimi është prioriteti numër një. Unë jam ai kryebashkiak që këtë prioritet do ta kthej në një objektiv të prekshëm për çdo qytetar që ka nevojë për punësim, për çdo qytetar që ka nevojë për një pagë dinjitoze, për një vend pune dinjitoz”, u shpreh Basha.

Ndërsa sot në një takim me studentët e Fakultetit të Ndërtimit Basha i ftoi ata të bëhen pjesë e hartimit të planit të ri urbanistik të Tiranës, dhe projekteve të tjera zhvillimore.

“Çdo aspekt kërkimor dhe zhvillimor, çdo aspekt planifikimi do të jetë i hapur ndaj kontributit tuaj. Në fakt ju do të jeni ata që do ftoheni të strukturoni një kalendar të qartë konkursesh, prezantimesh të cilët pjesë-pjesë do të përbëjnë mozaikun e ri që duhet të shoqërojë planin e ri urbanistik dhe konceptet për ta zbatuar atë. Bëhuni pjesë e projekteve dhe zgjidhjeve të mëdha për Tiranën moderne Europiane. Tirana ka nevojë për to, Bashkia ka nevojë për to dhe Kryebashkiaku i ardhshëm i Tiranës ka nevojë për to”, inkurajoi kandidati për kryebashkiak Lulzim Basha.

Ai rishprehu vendosmërinë tij që nga shtatori, studentët të kenë kartën studentore dhe kampusin e ri universitar.

mit/NOA

KOMENTE