Tiranë, 2 maj 2011, NOA – Nëse një klienti të një operatori celular i pëlqen shërbimi telefonik lëvizës i një operatori tjetër, mund ta ndërrojë operatorin sipas preferencës duke ruajtur numrin personal që ka. Ky shërbim nisi sot falë përurimit të zbatimit të portabilitetit të numrit personal të celularit, një ceremoni ku merrte pjesë edhe kryeministri Sali Berisha.
Kryeministri Berisha e vlerësoi vendosjen e portabilitetit si një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për telekomunikacionin në veçanti, por edhe për tërë zhvillimin e vendit.
“Ky moment shënon shkëputjen përfundimtare të pronësisë së numrit nga operatori dhe kalimin e tij në pronësi të individit. Që nga ky moment telekomunikacioni në Shqipëri fillimisht në fushën celulare dhe më pas në të gjithë spektrin e tij, do të njohë dimensione, të cilat ne që jemi këtu e kemi të vështirë t’i parashikojmë. Do të njohë zhvillime shumë më të mëdha, do të ndezë atë mekanizëm, i cili është faktuar si magjia e të gjitha magjive, konkurrenca, gara”, theksoi shefi i qeverisë.
Sipas kryeministrit sot, Shqipëria renditet rreth 20 % mbi mesataren europiane për sa i përket telefonisë celulare, dhe portabiliteti do të jetë në vetvete një moment i fuqishëm dhe rregullator i tregut.
Kryeministri vlerësoi kompanitë celulare të cilat kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e vendit.
“Kompanitë e telekomunikacionit u shndërruan në faktorët më kryesorë të një kapërcimi që Shqipëria bëri, nga nivelet më të ulta të përdorimit të internetit që ajo kishte në fillim të vitit 2006 në 4.8% në rreth 50 %, që është këtë vit dhe me një rendje të pa përmbajtur mbi mesataren Europiane. Ndaj dhe unë do t’u shpreh atyre vlerësimin dhe konsideratën time më të lartë”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri riktheu vëmendjen te zgjedhjet duke thënë se “këto zgjedhje mesa po duket do të jenë dhe faktor kryesor i rezultatit”.
Ai garantoi se qeveria ka në epiqendër zhvillimin e telekomunikacionit, sektorin e moshës dixhitale, që siç tha ai ka efektet jashtëzakonisht të jashtëzakonshme.
Ceremonia e nisjes së zbatimit të portabilitetit të numrit të telefonit celular u zhvillua në zyrat e Infosoftit, në Tiranë.
Në këtë ceremoni morën pjesë edhe Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit Genc Pollo, Kryetari i Bordit të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike e Postare (AKEP) Pirro Xhixho dhe Administratori i Infosoftit, Grigor Joti.
mit/NOA