Durrës, 2 maj, NOA – Policia e Durrësit ka identifikuar dhe shpallur në kërkim dy personat kanë kanosur kandidatin e Partisë Socialiste në komunën Ishëm. Autorët e incidentit janë; Shkëlzen Keqi, 29 vjeç dhe Hamdi Pasha, 45 vjeç; të dy banues në Thumanë të Krujës.
Sipas policisë dy personat kanë kanosur me armë zjarri kandidat për kryetar të komunës në Ishëm, Sulejman Ibrahimi, duke qëlluar me armë zjarri mbi makinën e tij. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Kodër Draç.
Sipas policisë, Keqi dhe Pasha kanë qëlluar dy herë me armë zjarri në drejtim të automjetit të tij tip “Volsvagen Polo” me targa BC 320 YF, në kohën kur ky automjet ndodhej i parkuar në afërsi të vendit të ngjarjes dhe kur në të nuk ndodhej asnjë person.
Policia saktëson se “nga hetimet e deritanishme rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit për motive politike”.
Ndërkohë që forcat e policisë kanë nisur punën për kapjen dhe arrestimin e tyre.
a.k/NOA