English

Tepelenë, kapen vjedhësit e bagëtive, u pikasën nga i zoti i shtëpisë

Tepelenë, 2 maj 2011, NOA – Policia e Tepelenës arrestoi në flagrancë dy persona që u diktuan teksa po vidhnin bagëtitë në kasollen e një bashkëfshatari. Arrestimi i Leonard Dinës 46 vjeç, dhe Xhemal Myrtës 45 vjeç, që të dy banues në Memaliaj të Tepelenës u finalizua sot në orët e para të mëngjesit rreth orës 03.30.

Sipas policisë dy të arrestuarit rreth orës 02.30 të mëngjesit në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë hyrë vjedhurazi në kasollen e bagëtive të imta, në oborrin e banesës së shtetasit P.M, nga qyteti i Memaliaj, ku kanë vjedhur dy krerë bagëti të imta, dele.

Në momentin e largimit nga oborri i banesës së shtetasit P.M, bashkë me dy bagëtitë e imta të vjedhura ata janë diktuar nga i zoti i banesës, i cili lajmëroi policinë.

Pas rrethimit të zonës brenda rreth 45 minutash policët e komisariatit të Teplenës arrestuan në flagrancë dy shtetasit, që u kapën bashkë me bagëtitë e vjedhura.

Leonard Dina dhe Xhemal Myrta, që janë nën akuzë për vjedhje dyshohen edhe për tri vjedhje të tjera bagëtish të imta të ndodhura gjatë kohëve të fundit në rrethin e Tepelenës.

mit/NOA

KOMENTE