Karachi, 2 Maj 2011 NOA - Tehrik-e-Taliban Pakistan (TTP) hodhi poshtë para pak minutash, raportet e publikuara se Osama bin Laden është vrarë.
Geno News, televizioni informativ në Pakistan e bëri publik këtë deklarim që erdhi nga TTP.
Më herët sot nga Uashington DC, presidenti i SHBA-ve, Obama deklaroi se Osama bin Laden, udhëheqësi i rrjetit terrorist të Al Kaidës është vrarë në një operacion të forcave amerikane në Pakistan.
Obama tha se vrasja erdhi në një sulm të forcave të SHBA-ve drejtuar ndaj një vile jashtë Islamabadit dhe pati luftime në vendin e ngjarjes.
Presidenti Barak Obama kumtoi se Osama bin Laden u vra brenda territorit të Pakistanit dhe konfirmoi se SHBA-të kanë trupin e bin Ladenit. "Vdekja e bin Ladenit shënon një nga arritjet më të rëndësishme të vendit tonë në luftën kundër Al Kaidës. Por vdekja e tij nuk shënon fundin e përpjekjeve tona. Nuk ka dyshime se Al Kaida do të vazhdojë të përpiqet të na sulmojë. Ne duhet dhe do të jemi vigjilent si brenda dhe jashtë", tha presidenti Obama.
Presidenti amerikan tha se forcat amerikane që morën pjesë në operacionin e vrasjes së bin Ladenit nuk pësuan asnjë humbje. Obama falënderoi presidentin e Pakistanit Asif Ali Zardari për bashkëpunimin.
Kurse bëri dhe sqarimin: "Ne duhet të rikonfirmojmë se Shtetet e Bashkuara nuk janë e kurrë nuk do të jenë në luftë me Islamin. E kam bërë të qartë ashtu siç e tha dhe presidenti Bush pas 11 shtatorit se lufta jonë nuk është kundër islamit. Bin Ladeni nuk ishte udhëheqës i myslimanëve, por një vrasës masiv i myslimanëve. Al Kaida ka masakruar myslimanë në shumë vende, përfshi këtu tek ne. Ikja e tij do të mirëpritet nga të gjithë ata që besojnë tek paqja dhe dinjiteti njerëzor", tha Obama.