Tiranë, 2 maj 2011, NOA Update – Kur ndodhemi vetëm gjashtë ditë larg zgjedhjeve vendore të 8 majit Kryetari i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth deklaroi sot se përgatitjet e deritanishme të policisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të 8 majit janë të shkëlqyera.
Wollfarth theksoi se Policia e Shtetit është përgatitur siç duhet dhe është plotësisht e ndërgjegjshme për nevojën për zgjedhje të lira dhe akses të lirë, në mbështetje të qytetarëve.
“Policia e Shtetit është plotësisht e ndërgjegjshme që një nga të drejtat kryesore të qytetarëve është e drejta për të votuar dhe për të pasur akses të lirë dhe ajo është po ashtu e ndërgjegjshme që të drejtat e njeriut përfshijnë të drejtat e qytetarëve”, ritheksoi ambasadori i OSBE-së.
Wollfarth shprehu mbështetjen e OSBE-së për të ndihmuar në disa pjesë të komunikimit me zonat më të thella të vendit, duke siguruar disa telefona satelitorë.
Sipas tij, Policia e Shtetit, gjë që përcjell shpresën se dita e zgjedhjeve do të jetë e qetë, efektive dhe e suksesshme.
I pyetur mbi incidentet gjatë fushatës zgjedhore, Wollfarth inkurajoi palët që është tejet e rëndësishme që situata të mbetet e qetë.
“Që qytetarët të identifikojnë programet e kandidatëve dhe ekipeve të tyre dhe të përqendrohen te paqja dhe te sjella e mirë qytetare, që do të thotë të jenë të qetë dhe të shkojnë të votojnë”, saktësoi Wollfarth.
Takimi mes ambasadorit të OSBE-së Eugen Wollfarth dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, kishte si lajtmotiv masat e marra dhe angazhimin e uniformave blu të Policisë së Shtetit për përballimin me sukses të procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore më 8 maj.
Gjatë takimit drejtori Burgaj evidentoi vlerësimin maksimal që Policia e Shtetit i ka bërë procesit zgjedhor, duke evidentuar dhe masat e marra për krijimin e një mjedisi të sigurt për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Gjatë fazës së parë një proces mjaft i rëndësishëm ishte trajnimi i gjithë efektivëve të policisë që do të angazhohen me detyra zgjedhore. Për realizimin e këtij trajnimi është bashkëpunuar ngushtë me OSBE-në, Misionin PAMECA III, Programin ICITAP, Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorinë. Kjo fazë u vlerësua maksimalisht për nga vetë rëndësia. Ndërkohë gjatë fazës së dytë, me fillimin e aktiviteteve elektorale Policia e Shtetit organizoi plane shërbimi të veçanta për të mbuluar aktivitetet e zhvilluara në shkallë vendi”, bëri me dije Burgaj.
Ai falenderoi OSBE-në për prodhimin në rreth 7000 kopje të “Librit të xhepit” për punonjësit e policisë që do të angazhohen me detyra zgjedhore, ashtu dhe për ndihmën për të mbuluar me komunikimin dhe ato zona mjaft të thella malore që paraqisnin vështirësi.
Drejtori i Policisë së Shtetit nënvizoi se nga data 6 maj e në vijim Policia e Shtetit do të kalojë në shërbim të përforcuar dhe do të ketë shërbim 24 orë, duke garantuar paanshmëri në zbatimin e ligjit.
“Fakti që deri në këto momente nuk ka asnjë rast të shkeljes së detyrave të përcaktuara në ligj lidhur me procesin zgjedhor nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, tregon më së miri që detyrat dhe mesazhi për zbatimin me korrektësi të ligjit janë kuptuar qartë nga secili prej tyre”, u shpreh Burgaj.
mit/NOA