English

Xhixho: Angazhimi im, më shumë punë për të rinjtë

Tiranë, 2 maj 2011, NOA – Erisa Xhixho, kandidatja e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” në njësinë bashkiake nr. 5 në Tiranë premtoi se do të angazhohet për punësimin e të rinjve të Tiranës.

Këtë premtim Xhixho e bëri gjatë një takimi të zhvilluar me të rinjtë e zonës ku ajo garon.

Kandidatja i siguroi të rinjtë e kësaj minibashkie se ajo do t’i japë zgjidhje këtij problemi kaq të madh, me të cilin përballet rinia shqiptare.

Xhixho tha se nën drejtimin e saj, minibashkia nr. 5 do të kthehet në një urë lidhëse mes studentëve dhe biznesit, si për praktikat, ashtu edhe për punësimin e tyre.

“Ne kërkojmë që kjo rini të ketë më shumë vende pune pas 8 majit, dhe ketë do t’ia arrijmë nëpërmjet disa mekanizmave , do t’ia arrijmë nëpërmjet politikave të reja fiskale që ne do të ndjekim duke krijuar frymëmarrje për biznesin”, u shpreh Xhixho.

Ajo tha se me uljen e taksave për biznesin do të krijohet hapësira e nevojshme që bizneset të punësojnë të rinjtë në aktivitetin e tyre.

“Parimi ynë është se kush paguan taksa merr shërbime. Në momentin që paguhen taksat dhe nuk merren shërbimet atëherë këto taksa nuk do të paguhen më. Ne angazhohemi që këto vende punë do të bëhen të mundura nga politika që ne do të ndjekim me biznesin dhe këto biznese ne do i çlirojmë nga taksa e gjelbërimit dhe nga taksa e tabelës e cila ju merr një shumë të konsiderueshme dhe gjithashtu angazhohemi për të ulur deri në tre herë taksën e pastrimit”, premtoi kandidatja e “Aleancës për Qytetarin”, për minibashkinë 5, Erisa Xhixho.

mit/NOA

KOMENTE