English

(A)Shiku

Nga Shkëlzen Maliqi

Ligjerimet politike në botën shqiptare qëmoti karakterizohen me përdorimin e fjalorëve inflatorë. Pasi që tani jetojmë në sistemet “pluraliste” nuk është më e përshtatshme që për kundërshtarët politikë të përdorën nocionet dhe etiketat mohuese, ekskomunikuese dhe leçitëse, që në kohën e monizmit kanë qenë vdekjeprurëse dhe e kanë pamundësuar, që në fillet e saj, zhvillimin e çdo mendimi tjetër dhe opozitar. Sot etiketimet dhe leçitjet janë më shumë retorikë. Nga pamundësia që kundërshtarët dhe mendimi dhe qëndrimi ndryshe të eliminohen edhe fizikisht, ata denoncohen dhe goditen si fenomen dhe përfaqësues tëregjimit të vjetër totalitar. Logjika e mendimit leçitës është kësisojit: Ne nga ky taraf politikë jemi demokratë dhe përfaqësojmë të vetmën mendësi pluraliste, kurse ata të tjerët, kundërshtarët tanë politikë, zakonisht cilësohen si komunistë (enveristë, stalinistë, titistë…) e ngandonjëherë edhe si totalitarë të djathtë (fashistë, nacional-socialistë, nacionalist ekstrem etj.)

Në kohët e fundit kjo leçitje retorike po fokusohet në çështjen e shërbimeve sekrete, para së gjithash të SHIK-ut. Nga njëra anë opozita kërkon që në Kuvend të debatohet veprimtaria e SHIK-ut, ndërkaq që, nga ana tjetër, Isa Mustafa organizoi konferencat për shtyp për të denoncuar vazhdimin e influencës së SHIK-ut në institucionet e Kosovës. Për më shumë, Mustafa akuzoi institucionet, konkretisht policinë e Kosovës, se është bërë instrument i SHIK-ut, duke pohuar se njerëzit e këtij shërbimi të inteligjencës, që “zyrtarisht” është vetëshuar dy vjet më parë, tani qenkan infiltruar në polici duke vepruar si Udba jugosllave, ose edhe me metoda staliniste, pasi që po e hetoekan edhe punën e disa zyrtarëve të Komunës së Prishtinës. Isa Mustafa pohon: “Ka shumë punëtorë këtu që janë marrë në pyetje dhe është bërë presion tek ata… Vetëm pse jam pjesë e LDK-së nuk është e drejtë që të më gjuhet SHIK-u mbi kokë”. Ky barazim i policisë së Kosovës me SHIK-un dhe krahasimi i saj me Udbën dhe stalinizmin, ishte sa i befasishëm, po aq edhe arsye për shprehjen e indinjatës së thellë të zyrtarëve të policisë dhe të Qeverisë.

Për motivin e reagimit të ashpër të Isa Mustafës nuk ka informata të mjaftueshme dhe të sigurta. Ajo që është publikuar deri më sot janë pohimet spekulative se policia është duke hetuar tre udhëheqësit e drejtorateve për abuzimin e një tenderi rreth kolektorit të ujrave të zeza në lagjen Kalabria. Po kështu flitet se auditori ka zbuluar se Komuna e Prishtinës e ka paguar një makinë të vjetër të zjarrfikësit mbi 300 mijë euro, ndonëse vlera reale e saj ka qenë rreth 20 herë më e ultë!

Nuk po zgjatem më shumë me këto “motive”, që sigurisht kërkojnë sqarime zyrtare. Nëse këto akuza vërtet nuk janë të sakta, nuk do të jetë i vetmi hetim që po zhvillohet kohëve të fundit, e që nuk sjell rezultate. Prokuroritë dhe agjencitë anti-korrupsion kanë pohuar se janë duke u zhvilluar qindra hetime. Për disa raste që janë bërë publike të dyshuarit kanë thënë se këto hetime janë “montime” politike. Vetëm se askush prej tyre nuk ka shkuar aq larg që ta barazojë punën e policisë me infiltrim në institucione të sistemit të ndonjë shërbimi të inteligjencës. Kjo po ndodh vetëm në këtë paraqitjen tepër nervoze të Isa Mustafës, ku ai praktikisht pohon se vetë institucioni që konsiderohet nga më të suksesshmit në Kosovën e pasluftës, është kapur nga SHIK-u dhe vepron si një vegël klasike e diktaturës.

Nuk është hera e parë që Mustafa reagon me nervozizëm ndaj kritikave që i bëhen punës së tij dhe komunës që ai drejton që nga viti 2007. Në fushatën e vitit 2009, kur e pati ballafaqimin e vetëm me kundërkandidatin Astrit Salihu, pas vërejtjes së Salihut se Mustafa nuk ka bërë asgjë për t’i ndalë klanet e ndërtimtarëve që po e shkatërrojnë pamëshirshëm kryeqytetin e Kosovës, Mustafa është përgjigjur me kundërsulmin se Salihu është vetëm eksponent i ShIK-ut, dhe më vonë ka refuzuar që të debatojë publikisht me kundërshtarin.

Kjo prirje e Mustafës që çdo kundërshtar dhe hetim që i bëhet atij dhe komunës t’i perceptojë si pjesë ose zgjatim të SHIK-ut, nuk shkon aspak me imazhin që është ndërtuar rreth personalitetit të tij, se ai është një politikan i urtë dhe racional. Nëse vërtet Mustafa ka informata dhe dëshmi se institucioni më i rëndësishëm i rendit dhe i luftimit të krimit në Kosovë është i kapur nga një shërbim i inkriminuar si tepër i rrezikshëm, ky do të duhej të ishte një alarm për të gjithë që të këndellemi. Por jo, unë nuk besoj se Mustafa e ka seriozisht, dhe se ka dëshmi për komplotin e madh, dëshmi që nuk do të ishin paranojake dhe esencialisht një retorikë e papërgjegjshme politike, që devalvon çdo racionalitet dhe diskurs normal politik.

Besoj se ky reagim bën pjesë në atë mendësi shterpe të kohës së tranzicionit të zgjatur dhe që e përdorin të gjitha klasat sunduese politike dhe intelektuale shqiptare në Kosovë, në Shqipëri etj., me qëllim që të krijojnë një perde prej tymit për kotësinë e tyre dhe pafuqinë dhe mungesën e vullnetit që të ballafaqohen me problemet reale zhvillimore të shoqërisë.

Përpjekjet për instalimin dhe aplikimin e ligjit në shtetin e Kosovës që po i mbush vetëm 40 muaj, me hetimet dhe gjykimet e kryetarëve të komunave, të krimeve të veteranëve të luftës, të abuzimeve të ministrave dhe guvernatorëve, të korrupsionit të drejtorëve të firmave dhe matrapazëve të ndryshëm, sigurisht se janë në fillim dhe nuk kanë dhënë ende rezultate të kënaqshme. Duhet të jemi realistë, të mos presim çudira dhe të mos i shkatërrojmë edhe ato lëvizje pozitive që po ndodhin.

Vetëm se është ashiqare prezente një tendencë e të gjithë mujsharëve politikë dhe ekonomikë që do të donin, si Isa Mustafa, ta stigmatizonin të keqën e të tjerëve me llafe të mëdha e boshe, për të mos u hetuar edhe keqja e tyre.

KOMENTE