Tiranë, 3 maj 2011, NOA- Një tjetër takim i Lulzim Bashës, kandidatit të koalicionit “Aleanca për qytetarin” ishte ai me studentët dhe me gratë në marrëdhënie pune.
Ai u dha garanci grave punonjëse në një fabrike fasone, se do të zhvillojë politikat mbështetëse për to.
“I njohim problemet dhe do punojmë fort për ti zgjidhur ato. Duke filluar nga hapja e vendeve të reja të punës, tek kushtet më të mira në punë, rroga më të mira, kushte më të mira për të lëvizur, kushte më të mira jetese. Këto kemi detyrat tona kryesore nuk do merremi me agjë tjetër përveç tyre. Të jeni të sigurta që do përkushtohem me mish e me shpirt. Ne do bëjmë kopshte me drekë dhe kopshte vere që kur mami të jetë në punë, fëmijët të jenë me shokët. Unë ju premtoj se do të rri në krye të punëve të qytetit dhe nuk do merrem as me sherre, as me konflikte politike”, u tha Basha grave.
Gjatë një takimi me studentët e një universiteti privat në kryeqytet, ai u tha se parashikon kthimin e bashkisë në një urë lidhëse mes biznesit dhe studentëve, si dhe premtoi se nën drejtimin e tij bashkia do të ndihmojë në krijimin e mundësive për praktikën e studentëve, pasi në këtë mënyrë shtohen edhe mundësitë për punësimin e tyre, madje u tha atyre se do të ngrejë biblotekën studentore, duk përsëritur edhe premtimin për kartën e studentit.
Më tej kandidati i maxhorancës u shpreh: “Unë premtoj se Bashkia do angazhohet fuqimisht për të siguruar praktika pune, jo vetëm brenda Bashkisë, jo vetëm brenda institucioneve Bashkiake, por kudo, në botën akademike, në institucionet e tjera shtetërore dhe në veçanti në botën e koorporatave, në botën e biznesit. Çelësi i të gjithave, mbetet krijimi i vendeve të reja të punës dhe krijimi i vendeve të reja të punës do të jetë prioritet absolut i Bashkisë së Tiranës në drejtimin tim”.
a.y/NOA