English

Berisha: Katër vitet që vijnë, Lushnja - qytet i zhvilluar

Lushnjë, 3 maj 2011 NOA Update/ Ervin Tirana - Kryeministri Sali Berisha përshëndeti sot tubimin elektoral me qytetarë të Lushnjes, në vijim të mbështetjes së kandidatëve të koalicionit “Aleanca për qytetarin”, për zgjedhjet vendore të 8 majit.

Në fjalën e tij, Berisha theksoi se “ditën e hënë, nis rrugën fitorja, fitorja në Lushnje, Mat, Tiranë, fitorja në mbarë Shqipërinë”.

Kurse më tej tha: “Katër vitet që vijnë, Lushnja - qytet i zhvilluar, Shqipëria - vend i zhvilluar. Këto 20 vite, me lumenj djerse, sakrificash dhe mundi, ne ngritëm Shqipërinë e falimentuar në Shqipërinë që kryeson rritjen ekonomike në Europë”.

Menjëherë më pas z.Berisha bëri krahasimin: “Alternativa tjetër është alternativa e të vetmes rrugë. Të dashur të reja e të rinj, ju nuk e dini se çfarë ka qenë ajo. Pyesni baballarët e gjyshërit tuaj, do t’ju rrëfejnë se e vetmja rrugë ishte slogani që përsëritej në çdo faqe, në çdo shkrim, në çdo emision, në çdo gazetë dhjetëra e qindra herë në ditë nga diktatori Enver Hoxha”.

Në këtë pikë kryeministri bëri thirrje që “t’ia lëmë nostalgjikëve të tij, rrugën e vetme, ne të ndjekim rrugë që na bashkojnë me njëri-tjetrin, të ndjekim përpjekjen tonë të përbashkët për Lushnjen europiane, për Shqipërinë evropiane”.

Berisha tha se “alternativa jonë bazohet në projekte, bazohet në fonde dhe financime, bazohet në mund e djersë, por alterantiva jonë, para së gjithash, bazohet në vlera morale të qytetarëve të lirë, bazohet në besimin e qytetarëve tek vetja, tek njëri-tjetri, tek familja, tek vendi”.

e.t/NOA

KOMENTE