Lushnje, 3 maj 2011, NOA – Nga Lushnja ku mbështeti kandidaturën e Albert Sanxhakut për kryetar bashkie të koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, lideri demokrat Sali Berisha u premtoi myzeqarëve se gjatë katër viteve të mandatit të ardhshëm Lushnja do të bëhet qytet i zhvilluar.
Duke përshëndetur simpatizantët e koalicionit në mitingun elektoral kryeministri Berisha u kërkoi rishtas votën lushnjarëve duke u premtuar se pas 8 majit, në ditën e Europës nis rrugën fitorja në mbarë Shqipërinë.
“Zotimi im për ju është, katër vitet që vijnë, Lushnja - qytet i zhvilluar, Shqipëria - vend i zhvilluar. Këto 20 vite, me lumenj djerse, sakrificash dhe mundi, ne ngritëm Shqipërinë e falimentuar në Shqipërinë që kryeson rritjen ekonomike në Europë”, u zotua kryeministri Berisha.
Shefi i qeverisë ritheksoi se gjatë 20 viteve të demokracisë shqiptarët arritën të anëtarësohen në NATO, të lëvizin të lirë në mbarë Europën.
“Dyfishuam rrogat e pensionet. Ne ringritëm fuqishëm sistemin arsimor. Lushnjen do ta shndërrojmë në Lushnjen universitare, Lushnjen turistike, Lushnjen e kulturës, Lushnjen e fermave më të zhvilluara të rajonit”, premtoi kryeministri.
Shefi i mazhorancës shprehu bindjen se koalicioni “Aleanca për Qytetarin” dhe kandidatët e tij do të fitojnë bindshëm në zgjedhjet vendore të 8 majit.
“Unë vij këtu për t’ju garantuar se fitoren e zotit Albert Sanxhaku dhe fitoren e zotit Irakli Gorea në Divjakë dhe të kryeqytetarëve tuaj në komuna do ta shndërrojmë në një sukses europian për çdo njërin prej jush, do ta përdorim për të ndërtuar sëbashku me ju rrugët e rrugicat europiane të Lushjnes, Divjakës dhe komunave të këtij rrethi, do ta përdorim për të ndërtuar kopshte e shkolla të standardeve më të mira europiane, në qytet dhe në të gjithë rrethin, do ta përdorim për të krijuar vende pune për lushnjarët, kudo që ndodhen, për të ftuar nga emigracioni bijtë e bijat e Lushnjes, do ta përdorim për të garantuar ujë të pijshëm 24 orë, për të gjithë qytetarët e Lushnjes, në qytet dhe rrethit të Lushnjes, do ta përdorim për të rritur pensionet e rrogat tuaja, për të shpalosur dhuntitë e talentet tuaja të shkëlqyera kulturale dhe sportive”, garantoi shefi i qeverisë.
Duke iu referuar dy alternativave që ndeshen në këto zgjedhje, lideri demokrat i ftoi myzeqarët që t’i bashkohen alternativës së projekteve, ku janë në epiqendër qytetarët e Lushnjes dhe mbarë Shqipërisë.
Ai i rikujtoi lushnjarëve se alternativa tjetër, ajo e rrugës së vetme ishte slogani që përsëritej në çdo faqe e me qindra herë në ditë nga diktatori Enver Hoxha.
mit/NOA