English

Dhimitri: Basha ka gënjyer më shumë se çdo rival tjetër i Edi Ramës

Tiranë, 3 maj 2011, NOA – Nënkrytarja e Bashkisë së Tiranës Albana Dhimitri e akuzoi sot Lulzim Bashën se ka gënjyer më shumë se çdo rival tjetër që është përballur në garën elektorale për Tiranën më Edi Ramën.

Në një konferencë për shtyp nënkryetarja Dhimitri iu referua takimit të hapur të Lulzim Bashës me shoqërinë civile dhe gazetarët, duke përgënjeshtruar deklaratat e një dite më parë të kandidatit demokrat se bashkia e Tiranës nuk ka fuqi financiare për të marrë kredi.

“Unë kam këtu Marrëveshjen e financimit me kredi, të nënshkruar ndërmjet Kryetarit të Bashkisë Edi Rama dhe përfaqësueses së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, në 24 Shtator të vitit 2009; “Për ndërtimin e segmentit të Unazës së Madhe, në shumën e 20 milionë euro, kredi e cila mbahet e bllokuar nga përfaqësuesit e Partisë së zotit Basha, në Këshillin Bashkiak të Tiranës”, bëri me dije nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës.

Sipas saj dje Lulzim Basha kuotoi edhe BERZH-in, duke gënjyer mbi fuqinë financiare të Bashkisë së Tiranës.

“Kam këtu analizën financiare për Bashkinë e Tiranës, të realizuar nga BERZH, një institucion financiar prestigjioz, ku Bashkia e Tiranës mund të marrë deri në 60 milionë euro kredi në vit, për financimin e projekteve të saj”, sqaroi zonja Dhimitri.

Ajo përgënjeshtroi edhe premtimet e Bashës për hipotekimin e apartamenteve dhe pallateve të reja, që sipas Dhimitrit mbëhen peng nga qeveria Berisha, siç edhe legalizimet.

Nënkryetarja Dhimitri paralajmëroi edhe gënjeshtrat e tjera të fushatës elektorale të kandidatit Basha, duke shprehur bindjen se qytetarët e Tiranës në 8 maj do të votojnë për Edi Ramën dhe programin për Tiranën europiane.

mit/NOA

KOMENTE