Tiranë, 3 maj 2011, NOA- Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka reaguar sërish gjatë ditës së sotme lidhur me vonesat për ngritjen e Komisioneve për Qendrat e Votimit.
“Vëzhguesit e Komitetit Shqiptar të Helsinkit njoftuan se KZAZ-ja nr.40 e Shkodrës, deri në datën 2 Maj 2011, nuk kishte marrë akoma vendim për ngritjen e Komisioneve të Qendrave të Votimit që i përkasin, për shkak se partitë përkatëse politike i kishin paraqitur pas datës 18 Prill propozimet për anëtarë dhe sekretarë të KQV-ve. Sipas Kodit Zgjedhor, afati i fundit për ngritjen e KQV-ve ishte data 18 Prill 2011”, thuhet në njoftimin e KShH-së.
Gjatë ditës së sotme lidhur me këtë rast Komiteti Shqiptar i Helsinkit shprehet se KQZ ka urdhëruar zyrtarisht KZAZ-në nr.40 të marrë vendim për ngritjen e KQV-ve.
Në vijim KShH ka shprehur shqetësimin për këtë vonesë, sepse sipas saj vetëm 5 ditë ndajnë nga dita e zgjedhjeve dhe se kjo vonesë mund të ndikojë negativisht në trajnimin e anëtarëve dhe sekretarëve të këtyre komisioneve.
KShH ka apeluar se, KZAZ duhet të ngrejë sa më shpejt KQV në mënyrë që të realizohet edhe trajnimi i anëtarëve, natyrisht pas verifikimit të dokumentacionit përkatës të kandidatëve.
a.y/NOA