English

KMSH: Paqartësi mbi ndërtimin e xhamisë, shpallja e fituesit e parakohshme

Tiranë, 3 maj 2011, NOA Update – Një ditë pas shpalljes nga kryebashkiaku Edi Rama të studios fituese për projektin më të mirë për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës dhe muzeut të bashkëjetesës fetare Komuniteti Musliman i Shqipërisë deklaron se shpallja e fituesit është e parakohshme, për aq kohë sa besimtarët muslimanë janë të paqartë lidhur me vendin ku do të ndërtohet xhamia e re, vend i cili është ende nën pronësinë e pronarëve të truallit, dhe nuk është pronë e KMSH-së.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë nënvizon se në mbledhjen e tij të fundit të mbajtur me 20 mars 2011, Këshilli i Përgjithshëm, pasi diskutoi çështjen e ndërtimit të xhamisë së re në Tiranë, konkludoi se ka mjaft pasiguri për ndërtimin e xhamisë, për aq kohë sa nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit që nuk është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe paqartësi të tjera.

Ky komunitetet pas deklaratës së Këshillit të Përgjithshëm ka qenë në pritje të një përgjigjeje nga ana e Bashkisë për të sqaruar pasiguritë në funksion të realizimit të plotë të kësaj nisme.

Ndërkohë që KMSH bën me dije se procesi i projektimit të xhamisë së re, i cili duhej të fillonte pas zgjidhjes së pronësisë së tokës, është mbështetur dhe përkrahur nga KMSH.

Sipas komunitetit në takimet e bëra me Bashkinë e Tiranës, KMSH ka shprehur haptazi paqartësitë në lidhje me shpronësimin e truallit dhe lejen e sheshit të ndërtimit, shqetësim ky, i cili nuk ka qenë vetëm i institucionit, por edhe i të gjithë besimtarëve myslimanë të cilët janë treguar shumë të ndjeshëm në këtë çështje.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë thekson se, në përzgjedhjen e projekteve të objekteve të kultit, komunitetet fetare përkatëse duhet të kenë rolin kryesor dhe vendimtar.

Komuniteti mysliman rithekson se xhamia e Re në Tiranë mbetet një nevojë e domosdoshme dhe emergjente për besimtarët myslimanë, duke nënvizuar se Komuniteti Musliman i Shqipërisë shpreson në bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërinstitucional për realizimin e këtij objektivi.

Vendi ku është deklaruar se do të ndërtohet xhamia e re në Tiranë, që është lulishtja në krah të Biliotekës Kombëtare apo siç quhet gropa e hapur nga Hajdin Sejdia është pronë e disa dhjetëra pronarëve, trashëgimtarë të truallit.

Për këtë shkak, çështja e ndërtimit të xhamisë aty, është kthyer në një debat kundërshtish, që gjithsesi do të mund të dalin në dritë pas fushatës elektorale të 8 majit, për të cilën në Tiranë, garon për të katërtin mandat Edi Rama kundër kandidatit demokrat Lulzim Basha.

Ndërkohë qeveria i ka dhënë një tjketër truall për kompensim KMSH-së , atë të zonës së Namasgjasë, pranë lulishtes së Parlamentit të Shqipërisë.

mit/NOA

KOMENTE