Tiranë, 3 Maj 2011 NOA - Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shprehet kundër xhamisë së re që ofrohet nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Edi Rama, duke deklaruar sot zyrtarisht se “shpalljen e projektit fitues e vlerësojmë si të parakohshme”.
Duke marrë shkas nga paqartësitë e besimtarëve myslimanë dhe mbarë opinionit publik lidhur me projektin e xhamisë së re në tiranë, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë tha se paqartësitë e Këshillit të Përgjithshëm të KMSH kanë mbetur akoma pa përgjigje.
KMSH pohoi se procesi i projektimit të xhamisë, megjithëse duhet të fillonte pas zgjidhjes së pronësisë së tokës, në çdo hap është mbështetur dhe përkrahur nga KMSH.
“Që në fillimin e tij, në takimet e bëra me Bashkinë e Tiranës, KMSH ka shprehur haptazi paqartësitë në lidhje me shpronësimin e truallit dhe lejen e sheshit të ndërtimit, shqetësim ky i cili nuk ka qenë vetëm i institucionit, por edhe i të gjithë besimtarëve myslimanë të cilët janë treguar shumë të ndjeshëm në këtë çështje”, - thuhet në reagimin e KMSH.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë është institucioni përfaqësues i të gjithë besimtarëve myslimanë në Shqipëri dhe ka si organ më të lartë vendimmarrës Këshillin e Përgjithshëm, të përbërë nga 92 anëtarë nga mbarë vendi.
Në mbledhjen e tij të fundit të mbajtur me 20 mars 2011, Këshilli i Përgjithshëm, pasi diskutoi çështjen e ndërtimit të xhamisë së re në Tiranë, doli me konkluzionin se: “Këshilli i përgjithshëm konstaton mjaft pasiguri, derisa nuk është zgjidhur leja e sheshit të ndërtimit dhe shpronësimi i sipërfaqes së truallit që nuk është në pronësi të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, si dhe paqartësi të tjera.”
Sot KMSH thotë se që nga deklarata e Këshillit të Përgjithshëm, ka qenë në pritje të një përgjigjeje nga ana e Bashkisë për të sqaruar pasiguritë në funksion të realizimit të plotë të kësaj nisme.
“Duke qenë se paqartësitë e Këshillit të Përgjithshëm të KMSH kanë mbetur akoma pa përgjigje, shpalljen e projektit fitues e vlerësojmë si të parakohshme”, - thekson Komuniteti Mysliman i Shqipërisë.
Ai thekson edhe se, në përzgjedhjen e projekteve të objekteve të kultit, komunitetet fetare përkatëse duhet të kenë rolin kryesor dhe vendimtar.
Kryesia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë përfundon me këtë kujtesë: “Xhamia e Re në Tiranë mbetet një nevojë e domosdoshme dhe emergjente për besimtarët myslimanë dhe Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreson në bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërinstitucional për realizimin e këtij objektivi”.
e.t/NOA