English

Pakti me Qytetarin

Sot kam zgjedhur të bëj një fjalë pak më ndryshe ashtu sikundër edhe kolegët e mi të sotëm e të nesërm bën një fjalim pak më ndryshe. 10 vjet më parë Tirana e sotme ishte një ëndërr e pamundur që nuk guxonte ta shihte askush. Një ëndërr që filloi me një votë. Vota që e ndryshoi përgjithmonë rrugën e këtij qyteti. E gjitha filloi me një votë. Një votë për të rilindur Tiranën e zhytur në kaos dhe errësirë duke e ndjekur ëndrrën me pasionin e papërmbajtshëm të ndryshimit

Nga Edi Rama

Më lejoni ta nis prezantimin tim jo nga dje por nga sot dhe duke pyetur në mënyrë që të na dëgjojnë të gjithë qytetarët se : Si u realizua kjo ëndërr?! Sepse nuk ka ëndërr në këtë qytet që ne nuk jemi në gjendje ta bëjmë! Themeli qëndron te puna e përbashkët dhe kontributi i përbashkët i të gjithë qytetarëve që dalë nga dalë filluan të bashkohen në rrugën tonë. U bënë gjithnjë e më të shumtë, gjithnjë e më entuziastë, gjithnjë e më besimplotë. Duke e shtuar investimin e tyre për Tiranën përmes taksave. Por ndërkohë sot kur kaq shumë është folur për zhvillimin e jashtëzakonshëm të kryeqytetit nga njëra anë dhe nga ana tjetër po kaq shumë është stërkeqfolur për mënyrën se si është realizuar ky zhvillim vlen të theksojmë se çfarë kanë kontribuar familjet e zakonshme të kryeqytetit për të arritur deri këtu. E vërteta e thjeshtë e kontributit të tyre të paçmueshëm për mua është: Tre taksa.

1- Taksën e ndërtesës

2- Taksën e pastrimit

3- Taksën e gjelbër

Taksa e gjelbër, një taksë e përkohshme e cila ka pushuar së qeni, por falë se cilës ne kemi sot në Tiranë 55 mijë pemë më shumë.

Çfarë i paguan një familje e zakonshme qytetit, vetes së vet, bllokut të vet të banimit të gjithë hapësirës së bashkëjetesës sonë që e ndajmë së bashku? Vetëm 550 lekë në muaj. 550 lekë në muaj për të gjitha punët e mëdha dhe shërbimet e përditshme të kryeqytetit. Ndërkohë që një pensionist paguan vetëm 8.3 lekë në muaj. Një familje me ndihmë ekonomike vetëm 8.3 lekë në muaj. Në Tiranën tonë të bashkëjetesës qytetare personat me aftësi të kufizuar, veteranët, invalidët e luftës dhe të punës, të sëmurët paraplegjik e tetraplegjik, të verbëritë paguajnë zero taksa. Po nga ana tjetër çfarë u paguajnë qytetarët atyre që përditë bëjnë sikur u qajnë hallin duke u shprehur solidaritet për çka Bashkia u bën duke u rënduar me taksa e me detyrime?

Një familje e zakonshme kryeqytetase i paguan qeverisë:

1- Tatim mbi të ardhurat

2- Kontribute sociale

3- Taksa konsumi

4- Taksë televizori

Pa përfshirë këtu faturën e energjisë elektrike, ujin e me radhë. Në rast se Bashkisë për të gjitha shërbimet, investimet, çerdhet, kopshtet, shkollat, rrugët, ndriçimin, pastrimin, gjelbërimin, i paguan 550 lekë në muaj, qeverisë i paguan 35.000 lekë të reja në muaj. Pra 70 herë më shumë për qeverinë se sa për bashkinë. Me taksat që i paguan bashkisë ndërtohet çdo ditë qyteti i fëmijëve tanë Tirana evropiane, çfarë ndodh çdo ditë me jetën e familjeve të zakonshme me 70 herë më shumë taksa që i paguan qeverisë? Çdo herë e më të varfër. Çdo herë e më të papunë. Çdo herë e më të kërcënuar nga padrejtësia e nga pasiguria. Kjo është ajo që qeveria i jep në këmbim qytetarëve të Tiranës për taksat që merr prej tyre. Po biznesi i vogël, motori i jetës ekonomike të qytetit, shpirti i sipërmarrjes kryeqytetase, shembulli i talentit dhe i ambicies së kryeqytetasve për të ndërtuar mirëqenie sa i paguan Bashkisë dhe sa Qeverisë?

Bashkisë i paguan tre taksa:

1- Taksën e biznesit të vogël

2- Tarifën e pastrimit

3- Taksën e gjelbër, që e përsëris ka pushuar së qeni që nga 1 janari i vitit 2011.

Mesatarisht 5.170 lekë në muaj. Ndërsa nëse është një aktivitet prodhues, duke filluar nga dyqanet e bukës që prodhojnë bukë për qytetarët bashkia e ka çuar taksën në minimumin që i lejohet asaj me ligj, 30% më pak.

Po nëse bashkisë një biznes i vogël i paguan vetëm dy taksa sot dhe tre bashkë me taksën e gjelbër deri vitin e shkuar, duke marrë prej saj shërbimet dhe duke përfituar prej zhvillimit të Tiranës rritjen e vlerës së dyqanit, qeverisë çfarë i paguan biznesi i vogël?

Dëgjojini:

1- Tatimin mbi të ardhurat personale

2- Tatimin mbi fitimin

3- Tatimin mbi vlerën e shtuar

4- Shpenzime administrative për bilancin

5- Sigurime shoqërore

6- Sigurime shëndetësore

7- Tarifë për mirëmbajtjen e kasave fiskale

7 taksa e detyrime. Të cilat të gjitha bashkë në rast se bashkisë ato tre detyrime dje dhe dy sot i shkojnë 5.170 lekë në muaj, qeverisë i shkojnë 50.000 lekë në muaj. 10 herë më shumë. E pra, 10 herë më shumë dhe në ndërkohë dua ta theksoj për të gjithë biznesmenët e vegjël se kush u qan hallin dhe kush në fakt ua shton hallet duke bërë sikur ua qan; Vetëm për mirëmbajtjen e kasës fiskale të imponuar me dhunë në një vit i paguan qeverisë 25 % më shumë seç i paguajnë bashkisë për të pastruar qytetin gjatë një viti.

Nëse nga një anë ne me këto kontribute të të gjithë qytetarëve kemi bërë Tiranën që të gjithë kemi sot, e do bëjmë Tiranën që shohim në ëndrrën tonë të pandalshme shikoni se si ndahen kontributet mes bashkisë që punon dhe qeverisë që bllokon.

1.6 miliardë lekë i vijnë bashkisë nga këto kontribute të qytetit. 41 miliardë lekë merr qeveria nga kontributet e këtij qyteti. E pra 25 herë më shumë si total kontributesh në vit. E më thoni ka bërë vallë 25 herë më shumë punë për Tiranën? Jo! Ka ndaluar punë të ndodhin të cilat sot do ishin 25 herë më shumë, thjesht dhe vetëm nëse nuk do të na kishin qëndruar në mes të rrugës, sepse i druhen si djalli temjanit të vetmes rrugë që është rruga jonë, rruga e Partisë Socialiste, e Bashkisë së Tiranës, e qytetarëve të Tiranës pa dallim. Unë në fund do ta mbyll me një lajm, por po pararend një pjesë të lajmit; Çdo taksë që qeveria e Saliut i ka shtuar biznesit të vogël, duke e rrjepur dhe duke e dezinformuar sikur i ka nga bashkia, ne do ta heqim në sekondën e parë që do të jemi në qeveri.

Dëgjoni çfarë përfiton një familje kryeqytetase nga 550 lekë në muaj që kontribuon për bashkinë. Përfiton 45.500 lekë shërbime dhe investime.

Pra marrim një kthejmë 7. Kjo është Bashkia e Tiranës.

Kanë dëgjuar të gjithë të flitet se Bashkia e Tiranës shpenzon për administratën, shpenzon për rrogat e veta, shpenzon për vetveten dhe jo për qytetin. Dëgjojeni se sa e ndryshme është e vërteta. 100 lekë të ardhura realizohen të ndara, 46 lekë nga 100 janë investime për qytetin. 45 nga 100 lekë janë shërbime për qytetarët dhe vetëm 6 lekë nga 100 lekë janë për administratën e bashkisë, e cila është dhe ajo e tëra në shërbim të qytetarëve.

Kishim një godinë fantazmë, një autoritet që nuk ekzistonte, një bashki tek e cila njerëzit nuk shihnin asgjë tjetër përveçse asaj ngrehine të vjetër dhe të pluhurosur. Ndërkohë që sot ne kemi një institucion modern evropian, i cili çdo muaj ftohet në konferenca e seminare ndërkombëtare, për të treguar eksperiencën e suksesit të vet dhe për të ndarë me më të përparuarit këtë eksperiencë dhe idetë e reja të zhvillimit. Janë 80 mijë qytetarë që e vizitojnë çdo vit “ Qendrën e Informimit Qytetar” dhe që marrin përgjigje për pyetjet, problemet dhe hallet e tyre. Të gjithë e mbajnë mend si ishte Tirana dje, pa asnjë shërbim publik dhe sidomos në transport, që transporti kryhej me furgona. 150 mijë m2 rrugë ishin rrugë të kalueshme normalisht për makinat. Rrjeti rrugor në tërësi katastrofik. E mbani mend sa semaforë ndizeshin në Tiranë? Vetëm 4, ndërkohë që vetëm gjysma e qytetit mbulohej me atë që quhej transporti publik por që në fakt ishte kuturisja pas gjithfarë furgonash, minibuzash, gjysmë autobusësh, e kështu me radhë. Sot kemi 90% të qytetit të mbuluar me transport. Kemi 10 linja transporti me gjatësi 74 km. Kemi 137 stacione autobusi dhe kemi 170 autobus të rinj. Autobusë të standardeve të BE. 100% ajër i kondicionuar, 100% kamera në bord, 100% platformë për personat me aftësi të kufizuar dhe ulje të konsiderueshme të ndotjes, në standardet e eruopës ku duam të bashkohemi. Ndërkohë që rrugët e qytetit, kryesoret apo dytësoret, janë sot të ndërtuara apo rindërtuara tërësisht në 1.65 milion m2, me një kapacitet për 480 mijë mjete në orë. Janë 53 semaforët në përdorim dhe sot kemi 9 ura të ndërtuara nga e para, apo të rindërtuara me zgjerime për të lehtësuar lëvizjen.

Po nesër çfarë do të kemi? Sepse ne edhe në këtë fushatë, e kanë vënë re që të gjithë ata që kanë sy për të parë dhe vesh për të dëgjuar, nuk kemi lista premtimesh por kemi argumenta zhvillimi, që janë të nxjerrë nga programi ynë i zhvillimit të qëndrueshëm urban, ekonomik dhe social, i shtrirë në harkun e 10 vjetëve. E pra ne do të kemi 13 linja të transportit publik me 290 mjete. Do të kemi 88 km korsi të veçantë për autobusin dhe do të jetë e shpejtë dita kur shumë nga ata qytetarë që sot paguajnë më shumë dhe ndotin qytetin më shumë për të përdorur makinën, harxhojnë më shumë kohë, nesër do të preferojnë autobusët e Bashkisë së Tiranës. Sepse do të shkojnë në destinacion shumë më shpjet, do të paguajnë shumë më pak dhe do të ndotim së bashku shumë më pak mjedisin. Ndërkohë, 54 km korsi e dedikuar për biçikletën. 6 linja të Tram Tiranës, me 20 km rrjet hekurudhor dhe 30 stacione në zonën urbane. 6 parkime rajonale, 8 parkime nëntokësore, 30 parkime të lëvizshme në blloqet e banimit. Dëshiroj që të theksoj se në këtë fushë plani ynë është i detajuar dhe përsa i takon gjithë sistemit të transportit të integruar të gjitha këto mjete do të lëvizin në një sistem unaze, që në programin tonë të infrastrukturës do të largojë makinat nga qendra e qytetit, do të ndërlidhi zonat e reja të zhvillimit të qytetit dhe do të përmbush kërkesën për lëvizje për një Tiranë me shumë qendra, për një Tiranë të zhvilluar në të gjitha pjesët e saj. Si ishte Tirana dje kur e shohim, përveç baltës dhe errësirës? A e dini sesa pika ndriçimi ndizeshin në kryeqytet? Vetëm 75. Sistem adresash asgjëkund, plehra gjithkund. Fusha e Sharrës ishte një fushë helmi, burim sëmundjesh. Parqe të shkatërruara dhe dhjetëra mijëra pemë të prera. Lumi i Lanës dhe parku i Liqenit të dyndura me ndërtime pa leje dhe plehra, me një aromë aspak aromatike. Sot nga 75 kemi 13. 300 pika të shtrira në të gjithë qytetin. Sot nga një qytet ku kur duhej të çojnë një letër i thoje postierit: gjeje ku është pallati te kthesa majtas, aty ku më duket se ka dyqanin Iliri. Kurse sot kemi një sistem europian adresash. Tirana është qyteti më i pastër në Shqipëri, kjo nuk do të thotë që Korça, Elbasani apo Vlora nuk janë qytete të pastra, por kjo do të thotë thjesht dhe vetëm që në Tiranë pastrohet sipërfaqja më e madhe urbane në cilësinë sot më të lartë, deri tani, të pastrimit. Me 100% të qytetit të mbuluar me shërbim pastrimi. Me 3.8 milionë m2 rrugë që fshihen përditë dhe 1.44 milion m2 që lahen dy herë çdo ditë.

Nesër, çfarë do të bëjmë nesër? Do të vazhdojmë të rrisim cilësinë e banimit dhe të banesave. Tirana do të jetë qyteti ku të gjithë do të gjejnë strehimin që duan, përmes vazhdimit të transformimit rrënjësor të lagjeve të banimit. Përmes zhvillimit të 14 qendrave urbane dytësore dhe krijimit të 5 qendrave të reja. Përmes hapjes së 10 zonave të reja banimi, për rreth 400 mijë banorë të pritshëm deri në vitin 2020 dhe 60% e familjeve do të kenë mundësi për të blerë një shtëpi me të ardhurat e veta. Si ishin dje shkollat e Tiranës? Të rrënuara, pa mjedis me ngrohje dhe mesatarisht mbi 50 nxënës për klasë. Sot Tirana është tërësisht ndryshe dhe vështrimit ndaj brezit të ri Bashkia e Tiranës e fillon tek maternitetit. Ku lind një bebe ka një cek, 21 mijë fëmijë e kanë marrë çekun e bebes, 5000 lekë të reja për çdo të porsalindur, ditën që kanë hapur sytë dhe u kemi thënë mirë se erdhe në Tiranë. 11.670 nxënës me rezultate të shkëlqyera, fëmijë familjesh socialiste, demokrate, pa parti, çfarëdo qofshin, nga Tropoja, nga Saranda, nga Korça, nga Dibra, nga Shkodra, nga Elbasani, nga Librazhdi, nga Skrapari, nga Vermoshi, nga Konispoli ngado që kanë ardhur kanë marrë për 7 vjet rresht bursën bashkiake të ekselencën si nxënës me të gjitha dhjeta, në shprehje të respektit të këtij qyteti evropian për qytetarët shembullor të së nesërmes. E dini mesa është e barabartë kjo? Sa të ndërtosh një shkollë të re nga themelet çdo vit. Kjo është një shkollë që ne e kemi ndërtuar në mendjet dhe në zemrat e atyre fëmijëve. Ndërkohë për të gjithë nxënësit kemi ndërtuar 7 shkolla të reja dhe kemi rindërtuar nga e para 33 shkolla të reja. Por kujdes, sepse në shkollat e rindërtuara kemi shtuar 54 mijë m2 mjedise e barabartë me 18 shkolla të reja. 44 shkolla të Tiranës kanë sot sistem ngrohjeje qendrore, ndërkohë që 27 kopshtet dhe 27 çerdhet e Tiranës janë krenari më vete për ne, me standardet evropiane të përkujdesjes për fëmijët dhe të marrëdhënieve me prindërit.

Kur erdhëm në këtë rrugë, në të vetmen rrugë, në rrugën tonë, në Tiranë nuk kishte asnjë shërbim social. Shërbimet sociale bashkiake u themeluan nga e para, duke ngritur 9 qendra ditore sociale për fëmijët, familjen, personat me aftësi të kufizuar, të rinjtë, të moshuarit. Kemi përfunduar 385 banesat e para sociale për qytetarët në vështirësi për strehim. Janë banesa që presin vetëm votën e 8 majit, për të çliruar këshillim bashkiak nga ata që thonë ju jeni të parët dhe që në fakt ata që i quajnë të parët i kanë lënë pas në harresë. E kur janë të pastrehë nuk duan tja dinë fare që ti hapin rrugën që të hyjnë në ato banesa që i presin, por bllokojnë banesat duke shpresuar ultësisht, paturpësisht që ata të pastrehë do të mërziten me ne dhe do të venë me ata, thjesht kjo nuk ndodh. Së shpejt në vijim 17 shkolla të reja do të ndërtohen dhe do të plotësohet nevoja për çerdhe dhe kopshte në të gjithë qytetin. Ndërkohë që 1 mijë apartamente të reja do të pasojnë këto që kemi ndërtuar. Mos të përsëris si ishte Tirana në pikëpamje të parqeve, të gjelbërimit, lumi i Lanës, parku i Liqenit e me radhë, të mos e përsëris thjesht dhe vetëm për të mos vajtuar ata që sot vazhdojnë e qajnë një Tiranë që nuk e di se ku e kanë parë dhe me se e krahasojnë. Por sigurisht jo me Tiranën e 10 vjetëve më parë kur parqet ishin shkatërruar, pemë të tëra ishin prerë dhe gjithçka ishte braktisur dhe e pushtuar nga betoni i ngrehinave pa leje të ngritura, sipas modelit të vetëm që ata kanë patur dhe kanë, modeli i Saliut. I cili Lanën e quante Zvicra e kapitalizmit shqiptarë. Të jeni të sigurt, nuk e thotë, por i qan mera për atë Zvicër në mes të Tiranës.

2 983 757 m2 sipërfaqe e gjelbër, është sot një sipërfaqe e gjelbër që mirëmbahet në Tiranë. 55 mijë pemë janë shtuar dhe lulishtet janë ringjallur dhe parqet janë para syve tuaj. Por ndërkohë së shpejti ne do të kemi parkun e kodrave të liqenit, i cili do të jetë pjesa e rrjetit të parqeve jugore të qytetit dhe do të përbëhet nga parku i plotë i liqenit, kopshti zoologjik që do të marrë statusin e parkut zoologjik, kopshti botanik që do të marrë statusin e kopshtit botanik dhe parku sportiv tek kompleksi dinamo. Ky projekt do të sjellë për qytetin diçka fantastike me shumë mundësi për shplodhje, argëtim dhe sport. Do ta rindërtojmë nga e para pasqyrën ujore të liqenit, me infrastrukturë moderne dhe falë këtij ndërtimi liqeni do të ketë ujë të pastër. Pjesa e sotme e digës do të kthehet në një plazh urban siç keni parë në Paris e në qytete të tjera plazhe urbane që kanë një sukses të jashtëzakonshme për jetën komunitare. Po ashtu do të pasurojmë parkun me më shumë bimësi. Do ta transformojmë tërësisht hapësirën e dy kopshteve duke bërë që të ketë një numër vizitorësh që sot mund të duket i pamundur, por që është tërësisht i llogaritur sepse e përsëris, ne nuk bëjmë premtime duke lexuar një listë të gjatë për ti marrë njerëzit nga hunda.

3 parqe të reja të mëdha do ti shtohen Tiranës. Parku i ri rekreativ i lumit Tirana, 1.3 milion metër katrorë. Parku i ri i zonës së trenit, i quajtur parku T, si Tirana sepse ka edhe këtë formë me 150 mijë metër katrorë gjelbërim. Parku i ri i Lanës në pjesën e re të lumit me 140 mijë metër katrorë gjelbërim. Më lejoni t'ju them pak fjalë për programin tonë të zhvillimit që të gjithë ta kuptojnë sesa e rëndësishme është vota e 8 majit si një votë thelbësisht politike, jo thjesht në aspektin që duhet të ndajë me vullnetin sovran të popullit mes dy palëve lidhur me gjithçka ka ndodhur në dy vite, por sepse duhet një vendimmarrje kombëtare dhe historike për të ndryshuar rrënjësisht politikën kombëtare mbi territorin dhe për ti hapur rrugë një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm që do të thotë harmonizim i energjive dhe vullneteve në territore që nuk mund të qëndrojnë më të ndara me kufij administrativë si kufiri administrativ që ndan Tiranën me Farkën, me Kasharin, me Kamzën, me Paskuqanin apo me Dajtin dhe ku ju vetë të gjithë keni parë sesi ndahen me thikë dy modele. Modeli ynë i zhvillimit të qëndrueshëm dhe i transformimit bazuar në planin strategjik dhe modeli i Saliut, getoja në Kashar, kodrat e pallatizuara në Selitë. Në Kamzë gjithçka e bërë me djersën, gjakun dhe sakrificat e njerëzve, e nga ana tjetër as legalizimet e shumë premtuara me vite me radhë nuk i shohin dot as në horizont.

Ndërkohë që e gjitha kjo është Tirana e së ardhmes të cilën ne e kemi projektuar si një të tërë dhe duhet ta realizojmë si një të tërë, duke u harmonizuar në idetë dhe në veprimin tonë. Por siç filloi Tirana Europiane me një votë 10 vjet më parë, me një votë fillon edhe historia e zhvillimit të qëndrueshëm urban, ekonomik e social, me votën e 8 majit. Programi i zhvillimit të lumit Tirana është një nga simbolet e modelit tonë të zhvillimit të integruar dhe të qëndrueshëm. Është modeli i qeverisjes që gjeneron punësim, të ardhura, mirëqenie. Është një model që shkon në tre drejtime. Mjedis të qëndrueshëm, ku pasuritë natyrore si uji, lumi dhe parku rreth tij kthehen në pasuri të qytetarit, të jetës urbane të tyre. Zhvillim ekonomik duke krijuar mundësi reale për investime dhe për punësim. Integrim social nëpërmjet zhvillimit të komuniteteve dhe infrastrukturës moderne të zonës. Plani ynë është i qartë dhe ne me këtë plan shkojmë pa asnjë ndrojtje drejt 200 mijë vendesh të reja pune në një hark kohor zgjatjen e të cilit e ka në dorë qytetari me votën e tyre. Gjithçka fillon me një votë.

Nga ana tjetër parku i lumit Tirana, parku më i madh verior i qytetit është një korridor i ri zhvillimi i ekonomisë dhe i teknologjisë. Ai ofron një hapësirë zhvillimi me mundësi punësimi vetëm në atë territor për 50 mijë vende pune dhe me një potencial për rreth 700 milion euro investime. Në një model të bashkëjetesës qytetare të integrimit social dhe sigurisht të zhvillimit ekonomik të cilin ne e shohim të lidhur ngushtë me zhvillimin e edukimit. 8 shkolla të reja 9 vjeçare e të mesme. 3 qendra të reja komunitare dhe 2 qendra të reja sociale vetëm për atë zonë.

Projekti tjetër i madh është kampusi i ri universitar i Tufinës, që ofron një zgjidhje spektakolare për një port të ri të ekonomisë dhe të edukimit. Nuk po hyj në detajet e këtij projekti dhe po kaloj tek qendra e re Tirana 21, Tirana e shekullit të ri. Është një projekt që do të hapë një faqe tjetër të zhvillimit të qytetit në shekullin 21. Është një mundësi për ti dhënë Tiranës një rol strategjik në rajon në zhvillimin e saj. Një qendër që shtrihet nga stacioni i trenit, në brigjet e lumit Tirana. Do ti japë qytetit ndër të tjera parkun e saj qëndror si një hapësirë komunitare qëndrore. Stacionin e ri modern të trenit, tramit, linjat e transportit ndërqytetës në autobus dhe që me të gjitha do të jetë një stacion me peshë rajonale. Qendra e re kulturore 21, një kompleks i ri i kulturës kombëtare me teatrin bashkëkohor, odeonin e muzikës, odeonin e filmit dhe mediatekën, muzeun e fotografisë, bibliotekën e literaturës dhe të kulturës të Bashkimit Europian. Me një mundësi për të krijuar 17 mijë vende pune në këtë territor ku nga ana tjetër parashohim pallatin e financave që do të përfaqësojë e mundësojë dhe funksionimin e bursës së Tiranës. Do të jetë një vend për transaksionet e mëdha financiare në nivel rajoni si dhe qendrën rajonale për Bashkimin Europian, një qendër që do të duhet të shërbejë për të gjithë Ballkanin perëndimor. Një organizëm që synon të rrisë dhe zhvillojë marrëdhëniet e rajonit me Bashkimin Europian, të nxisë eksperiencat, rrjedhën e partneritetit, zhvillimin e projekteve, akseset dhe shkëmbimet me BE-në, për të gjithë vendet e rajonit në rrugën e tyre të integrimit. Dhe me zhvillimin e potencialit të madh ekonomik Tiranë, Durrës, Krujë.

Lejomëni që t'ju siguroj se vota këtë herë është vendimtare për të ndarë këto dy rrugë, dy rrugë të qarta. Dy rrugë që në fakt shtrihen duke pasur si pikënisje dy botë. Dy vizione tërësisht të ndryshme mbi ç' është vendi ynë, si mund të zhvillohet ai, çfarë natyre duhet të ketë marrëdhënia jonë me mjedisin natyror, me mjedisin urban, me mjedisin ekonomik dhe me atë social. E pra në 8 maj të gjithë duhet ta kenë të qartë se ende sot pas gjithë këtyre ditëve fushatë elektorale Saliu nuk është në gjendje të na tregojë një qytet apo një komunë ku të mund të na thotë, ky është modeli ynë, shikoje. Shikoni se çfarë kuptojmë ne me zhvillim urban, çfarë kuptojmë ne më zhvillim social. Shikoni se ç' kuptojmë ne me plan urbanistik, sepse në rrugën e tyre fjala plan urbanistik keni dëgjuar flitet aq shpesh sa duket sikur është në vend presje. Por ata nuk e kanë haberin se çfarë është një plan urbanistik, sepse nuk kanë një qytet apo një komunë që të mund të shihet dhe të konsiderohet e pranueshme përsa i përket koncepteve të qeverisjes vendore dhe të zhvillimit vendor. Ndërkohë që nga ana jonë modelet tona janë para syve të të gjithëve . Jo vetëm Tirana, Tirana hapi rrugën. Në këtë rrugë janë bashkuar Vlora, Durrësi, Korça, Elbasani, Fieri, Berati e me radhë. Është qeverisja jonë vendore që ka një cilësi tërësisht të ndryshme dhe ka një model dhe ju siguroj se e harmonizuar me një politikë kombëtare vizionare dhe të bazuar në një program zhvillimi të qëndrueshme për të gjithë territorin do të sjellë transformimin rrënjësor të mbarë vendit i cili sot është po aq i papërfytyrueshëm saç ishte 10 vjet më parë Tirana që kemi sot.

Në mbyllje bashkë me kolegët dhe në praninë e të gjithë ju dhe në sytë e të gjithë atyre që na shohin unë dëshiroj që të nënshkruaj një pakt. Një pakt qytetar i "Aleancës për të Ardhmen". Ky pakt thotë sa më poshtë:

Si Kryetar i Bashkisë së Tiranës Edi Rama ndryshoi rrënjësisht kryeqytetin dhe krijoi një model suksesi. Tanimë ky model mund të preket në të tjera njësi vendore ku qeverisin socialistët. Aleanca për të Ardhmen nën udhëheqjen e Edi Ramës merr përsipër të përmbushë këtë pakt me qytetarët, duke angazhuar sot të gjithë kandidatët e saj për bashkitë e komunat:

Punësimi - Luftë papunësisë.

- 300 mijë vende të reja pune.

- Lehtësira, forta fiskale, për çdo biznes prodhues. - Mbështetja financiare për formimin profesional të të rinjve dhe kreditim për hapjen e bizneseve të vogla prej tyre.

- Heqja e të gjitha tatimeve të qeverisë mbi biznesin e vogël dhe liri e paprekshme për çdo sipërmarrës.

- Administratë publike transparente dhe të drejta të garantuara për çdo nëpunës.

Familja- Kujdes, përkrahje, mbrojtje.

- Asnjë taksë për të gjitha kategoritë në nevojë.

- Të paktën përgjysmim i TVSH-së për ushqimin bazë dhe TVSH zero për ilaçet.

- 50% e qerasë ose kredi të buta për të pastrehët. - Qendra sociale për pensionistët dhe gratë e fëmijët në nevojë.

- Mësues të vlerësuar sipas meritës dhe të çliruar nga çdo presion politik.

E ardhmja - Ëndrrat që bëhen realitet.

- Ceku i bebes dhe një pemë e re për çdo fëmijë që lind.

- Bursë bashkiake për çdo nxënës të shkëlqyer.

- Shkolla Europiane dhe qendra komunitare për të rinjtë.

- 100% rrugë të shtruara, pastrim shembullor në të gjithë territorin dhe transport publik i standardeve europiane.

- Plan i integruar zhvillimi urban, ekonomik e social në çdo njësi e qark duke i dhënë fund kaosit territorial në vend, duke mbrojtur natyrën e pasurinë publike dhe zgjidhur çështjen e pronësisë mbi tokën.

Sot, në cilësinë e kryetarit të Aleancës për të Ardhmen unë angazhohem të përmbushë secilën prej këtyre pikave brenda 4 viteve të ardhshme.

Ky është angazhimi im përpara çdo shqiptari e shqiptareje, jo thjesht si Kryetari i Bashkisë, as thjesht si Kryetar i Partisë Socialiste, por si një qytetar i lirë që beson tek Shqipëria dhe e ardhmja e ndritur e saj.

* Kryetari i PS ka nënshkruar një pakt qytetar të “Aleancës për të ardhmen” në të cilën grupoheshin në tre prioritetet kryesor të Bashkisë së Tiranës në katër vitet e ardhshme, punësimi, familja dhe e ardhmja

KOMENTE