English

Pasojat e mundshme të operacionit "Bin Laden"

“Washington Post"

Ekzistojnë disa arsye për të festuar vdekjen e Osama bin Ladenit gjatë operacionit të udhëhequr nga forcat speciale amerikane. Al Kaida ka humbur themeluesin dhe simbolin, për të mos thënë edhe komandantin operacional.

Autori i sulmeve të 11 shtatorit 2001, më në fund është zënë nga drejtësia. Mbi të gjitha, bota ka qenë dëshmitare e një shfaqjeje të frikshme të mundësive që kanë forcat amerikane ushtarake dhe ato të zbulimit. Presidenti Obama, i cili ka ndjekur nga afër përgatitjet për këtë operacion, me të drejtë ka marrë merita nga të gjitha palët në Uashington; operacioni ka ofruar një mundësi të rrallë të një feste të përbashkët në Amerikën e ndarë.

Por, rëndësia e praktike e këtij sulmi mund të mos përshtatet me karakteristikat politike dhe morale. Në fakt, operacioni “Bin Laden” mund të thellojë edhe më shumë disa nga problemet, me të cilat Shtetet e Bashkuara përballet me Azinë Jugore dhjetë vjet pas 11 shtatorit.

Së pari, nuk është e qartë se deri në ç’masë operacionet e Al Kaidas do të ndikohen nga humbja e liderit. Nëse, Bin Ladeni nuk ka qenë drejtpërsëdrejti i përfshirë në planifikimin dhe ekzekutimin e operacioneve terroriste, ai mund të ketë pasur vlerë për Al Kaidan i gjallë apo i vdekur.

Siç mund të dëshmojnë ndjekësit e Çe Guevarës apo të Leon Trockit, militantët e vdekur mund të vazhdojnë të frymëzojnë, veçanërisht nëse vdesin në duart e armiqve të tyre.

Ndonëse e dërmuar nga operacionet kundër terrorizmit, rrjeti Al Kaida mbetet një organizatë e frikshme, me qindra pjesëtarë në Pakistan dhe përfaqësi autonome në Jemen, Afrikë të Veriut dhe Evropë.

Suksesi i së dielës gjithashtu mund të ketë kundër efekt nëse e nxit administratën amerikane apo Kongresin për një tërheqje të shpejt nga Afganistani. Zoti Obama duhet së shpejti të vendos për nivelin e tërheqjes së planifikuar për këtë verë; disa do të thonë se synimi i misionit në Afganistan – mposhtja e Al Kaidas – është përmbushur. Por, Al Kaida nuk është kërcënimi i vetëm në Afganistan, duke qenë se ekziston edhe lëvizjet talebane, të cilat do të mund të marrin kontrollin në Afganistan, Pakistan apo në të dyja vendet.

Dhe, në fund, faktet që po publikohen për lokacionin ku ka qëndruar Bin Ladeni flasin për një sfidë komplekse në Pakistan. Ekspertët mbi Pakistanin thonë se është e vështirë të dihet nëse ushtria kishte njohuri për vend-strehimin e Bin Ladenit.

Në anën tjetër, autoritetet pakistaneze, publikisht janë pajtuar me operacionin e kryer nga forcat e huaja mu në zemrën e këtij shteti, duke mos ditur gjë për vetë operacionin. Por, mundësia e bashkëpunimit të Pakistanit me fshehjen e Bin Ladenit nuk mund të përjashtohet dhe as të futet nën qilim.

NOA /RFE/Uashington Post

KOMENTE