Tiranë, 3 maj 2011, NOA – Deputeti demokrat Fatbardh Kadilli akuzoi sot Bashkinë e Tiranës për mungesën e mbikalimeve dhe nënkalimeve në zonën e Laprakës, që është një nga shkaqet kryesore të aksidenteve rrugore me pasojë vdekjen në këtë zonë me shumë trafik në dalje dhe hyrje të kryeqytetit.
Deputeti demokrat iu referua të dhënave të Ministrisë së Brendshme, duke bërë me dije se 34 vetë kanë vdekur brenda 4 vitesh në Laprakë si pasojë e mungesës së mbikalimeve.
Ai e cilësoi të papërgjegjshme Bashkinë e Tiranës pasi siç tha ai gjerësia 37 metra mes dy anëve të rrugës, që përshkohet në këmbë për çdo ditë nga rreth 1 000 nxënës duhet të ishte një argument i fortë sipas tij për ngritjen e mbikalimeve apo nënkalimeve në këtë zonë.
Sipas Kadillit në anët e kësaj rruge jetojnë 50 000 banorë që u duhet të përshkruajnë këtë distancë për të kryer aktivitetet e tyre të përditshme.
“Të gjithë këta njerëz rrezikojnë çdo ditë jetën si pasojë e papërgjegjshmërisë së bashkisë së Tiranës. Njësia bashkiake e Laprakës i ka paraqitur bashkisë qendrore kërkesën për ndërtesën e një mbikalimi, por kjo e fundit i është përgjigjur negativisht”, nënvizoi Kadilli.
Ai bëri thirrje që kjo situatë të marrë fund në 8 maj, pasi Tiranës i duhet një kryebashkiak që të zgjidhë problemet e të përditshmes, e jo një kryebashkiak që është i fokusuar vetëm tek beteja politike kombëtare.
mit/NOA