English

Pjesëmarrja e lartë në votime, çelësi i fitores

Nga Arben Malaj

Zgjedhjet vendore po hyjnë në javën e fundit. Partitë, aleancat politike dhe kandidatët janë në momente vendimtare. Tensioni për fitoren mund të rritet. Për shkak të eksperiencave negative të zgjedhjeve të kaluara, edhe sot diskutohet se si do të ruhet vota, do të numërohet ajo ashtu siç është shprehur nga votuesi.

Shqetësimet për manipulimin e votave janë në rritje edhe për shkak të trashëgimisë historike të PD-së në manipulimin e zgjedhjeve.

Ditët e fundit ka tendenca të aplikohet një skemë e re e blerjes nga maxhoranca, kryesisht të votës së elektoratit të majtë. Votuesve të njohur si mbështetës të PS-së dhe “Aleancës për të ardhmen”, po tentohet t’u blihen me parapagim votat, duke u marrë dokumentet identifikues, pa të cilat nuk mund të votohet. Synohet të reduktohen votat mbështetëse për kandidatët e PS-së dhe aleancës së saj, me qëllim që të lehtësohet fitorja e kandidatëve të maxhorancës.

Sa të vërteta janë këto skema të blerjes së votave, në çfarë shkalle mund të arrijë ky fenomen, sa do të kushtojë kjo skemë dhe nga do të gjenden miliona lekë për të financuar blerjen e votave, janë disa pyetje-shqetësime që nuk kanë të bëjnë thjesht me standardet e zgjedhjeve, por me elementë të rëndësishëm të sigurisë kombëtare të vendit.

Njohja e problematikës së zgjedhjeve vendore apo parlamentare është vetëm një moment, ndërtimi i strategjive për të reduktuar këto risqe në deformimin dhe manipulimin e votave, është momenti më kritik.

Përballë tendencave të manipulimit të votuesve, të blerjes së tyre apo të ndryshimit të rezultatit, mund të jenë dy opsione që duket se kanë të njëjtin objektiv, fitoren, por që ndjekin dy rrugë të kundërta dhe prodhojnë kandidatë fitues cilësisht të ndryshëm.

Opsioni i parë mund të jetë që edhe kandidatet e PS-së dhe aleancës së saj në nivel vendor, të synojnë të njëjtën strategji tek votuesit e maxhorancës. Kjo rrugë nuk do të prodhonte një rezultat pozitiv, risku për deformim të rezultatit do të rritej, gara e blerjes së votave do të bëhej më e rëndë, angazhimi i fondeve financiare me burime të dyshimta do të rritej, kostoja e fitores do të bëhej shumë e shtrenjtë.

Keqqeverisja qendrore dhe vendore do të përkeqësohej akoma më shumë, si për shkak të moralit të fitores, ashtu edhe për kostot e larta të rimbursimit të shpejtë të parave të përdorura për financimin e fitoreve individuale. Paratë e financuara për fitore të blera të kandidatëve të ndryshëm, janë para të dhëna hua dhe me interesa shumë të larta. Ato do të paguhen nga korrupsioni me fondet publike, që konstatohet lehtë në cilësinë e dobët të investimeve në rrugë, ujësjellësa, shkolla, në shume komuna e bashki të vendit. Në zgjedhjet vendore 2007, ka pasur raste që kandidatë të ndryshëm e kanë financuar fushatën e tyre nga kredi të individëve të marra në prag zgjedhjesh, të cilat do të shlyheshin nga përfitimet korruptive pas zgjedhjeve.

Rruga më e mirë, më e pastër moralisht dhe politikisht, më e dobishme për komunitetin, por edhe për vetë kandidatin fitues, është rruga e rritjes së pjesëmarrjes së votuesve në votime.

Partitë politike dhe kandidatët e tyre duhet ta mirëpërdorin çdo ditë të javës së fundit për të rritur sensibilitetin publik për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes në votime. Shtabet elektorale duhet të synojnë që çdo votues potencial i tyre të marrë pjesë në votime. Kjo kërkon një punë derë më derë edhe ditën e votimeve, duke ndjekur në dinamikë dhe sipas emrave konkretë pjesëmarrjen në votime. Sensibilizimi publik duhet të shoqërohet me punën në terren, kërkohet punë e ndarë në grupe sa më të vogla dhe me një sistem monitorimi sa me efektiv.

Përfitimet e kësaj strategjie janë të shumëfishta. E para, çdo fitues do të jetë vullnet i qartë i pjesës më të madhe të banorëve të komuniteteve ku ata konkurrojnë. E dyta, çdo komunitet ka një mundësi më të madhe të rrisë kërkesat për premtimet dhe angazhimet konkrete të të zgjedhurve të tyre. E treta, pjesëmarrja e lartë në votime redukton në maksimum çdo strategji fitoreje të bazuar tek manipulimi apo blerja e votave. E katërta, çdo pjesëmarrje e lartë në votime e vështirëson fitoren nga blerja e votave.

Për rritjen e pjesëmarrjes në votime mund të kontribuojnë jo pak edhe personalitetet publike nga shoqëria civile, mund të angazhohen më shumë në këtë sensibilizim organizma të tjerë jo politikë dhe jo qeveritarë.

Për vendin tonë më një nivel shumë të lartë të emigracionit, ndoshta datat e zgjedhjeve vendore dhe parlamentare duhet të përputhen edhe me periudhat dhe datat e kthimit të emigrantëve në vendin e tyre për festa të ndryshme apo pushime.

Kjo bëhet akoma më e domosdoshme edhe për faktin se deri më sot nuk kemi arritur të ofrojmë një mundësi votimi për rreth 1/3 e popullsisë që jeton në emigracion, por që është shumë e lidhur me zhvillimet ekonomike e politike të vendit.

Rritja e pjesëmarrjes në votime është sot një nga sfidat e mëdha që ka demokracia në te gjithë botën. Rënia e pjesëmarrjes në votime ka rritur deficitin demokratik. Një numër gjithnjë e më i vogël i qytetarëve besojnë tek qeveritë qendrore e vendore, një numër gjithnjë e më i vogël është pjesëmarrës në zhvillimet politike të vendeve dhe komuniteteve të tyre. Mesazhi paralajmërues i Platonit është shumë i hershëm, ndërgjegjësimi për pjesëmarrjen tonë në mirëqeverisjen e vendit bëhet akoma më jetik.

Gazeta “Panorama”.

KOMENTE