Tiranë, 3 maj 2011, NOA- (Update) Kryesocialisti Edi Rama, njëherësh kandidat për të rifituar për të katërtën herë Bashkinë e Tiranës, në aktivitetin, “Pakti qytetar” së bashku me kandidatët për bashkitë në vend, deklaroi se më 8 maj Saliu nuk është në gjendje të tregoj një model qoftë edhe në një komunë të vetme.
Sipas tij, maxhoranca nuk e ka idenë se çfarë do të thotë një Plan Urbanistik dhe se qeverisja vendore ka një model i cili do vazhdohet me një program të vijueshëm për transformimin tërësor.
Rama tha se së bashku me kolegët do të nënshkruajnë paktin qytetar të “Aleancës për të ardhmen”.
Ai u angazhua se së bashkui me kandidatët do të luftojë për papunësinë, duke hapur 300 mijë vende të reja pune.
“Lehtësira të forta fiskale për çdo projekt prodhues, kreditim për hapjen e bizneseve të vogla, heqjen e të gjitha tatimeve mbi biznesin e vogël dhe liri e paprekshëm për çdo sipërmarrës. Familja, kujdes, përkrahje, mbrojtje, asnjë taksë për të gjitha kategoritë në nevojë, përgjysmim i TVSH-së për ushqimin bazë. 50 % e qerasë, ose kredi të buta për të pastrehët, qendra sociale për pensionistë e gratë e fëmijët në nevojë”, deklaroi kryesocialsiti.
Më tej ai u zotua se mësuesit do të jenë të çliruar nga çdo presion politik, madje shtoi se e ardhmja dhe ëndrrat do të bëhen realitet.
Rama theksoi se do të jepet çeku i bebes dhe se do të mbillet një pemë e re për çdo fëmijë që lind, do të jepet bursë bashkiake, për çdo nxënës të shkëlqyer, qendra komunitare për të rinjtë, 100% rrugë të shtruara, pastrim shembullor në të gjithë territorin, plan zhvillimi urban e sociala në çdo njësi e qark si dhe zgjidhje e çështjes së pronësisë mbi tokën.
Në cilësinë e kryetarit të “Aleancës për të ardhmen” ai u angazhua të përmbushë gjithë faktet e sipërpërmendura në 4 vitet e ardhshme, jo si kryetar, por si një qytetar.
a.y/NOA