Lezhë, 3 Maj 2011 NOA/ Ardian Bushi- Shënohet incidenti i dytë në fushatën elektorale për zgjedhjet vendore në rrethin e Lezhës. Këtë radhë incidenti ka ndodhur rreth orës 19.00 të ditës së sotme, në Komunën Blinisht të rrethit të Lezhës.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Lezhës mësohet se kandidati i Partisë Socialiste, Zef Hila është përplasur me kundërshtarin e tij, kandidatin e Partisë Demokratike, Jak Zhuba.
Nga të dhënat e para mësohet se kandidati i PS-së ndodhet në spitalin rajonal të Lezhës, ndërsa kandidati i PD-së ka marrë mjekime edhe ai në spital.
Ndërsa më tej është shoqëruar për në polici për të dëshmuar mbi ngjarjen.
Ngjarja ka ndodhur ne fshatin Fishtë. Ndërsa Hila ndodhej në spitalin e Lezhës, për mediat ai ka treguar çfarë ngjau:
“Unë kam qenë duke biseduar me banorë të zonës, pasi isha duke zhvilluar takime elektorale shtëpi më shtëpi, duke u bërë të ditur programin qeverisë që unë kam synim të vë në zbatim. Ndërsa isha duke biseduar, kandidati i Partisë Demokratike Jak Zhuba, ka ardhur i shoqëruar nga pesë persona me një makinë, duke ndaluar pranë meje e duke dalë menjëherë nga makina. Sapo ata kanë dalë nga makina shoqëruesit e Zhubës dhe ai vetë më kanë qëlluar me qyta pistolete, duke më dëmtuar në kokë dhe në trup. Kam reaguar sigurisht, duke u vetëmbrojtur, ndërsa kam kërkuar edhe ndihmën e policisë”.
Hila tha më tej se me t’u përmirësuar gjendja e tij shëndetësore, “unë do t’i drejtohem prokurorisë për incidentin”. Kurse shtoi: “Do t’i kërkoja publikisht edhe organeve të drejtësisë të reagojnë konform ligjit, për dënimin e agresorëve ndaj meje”.
Policia njoftoi se është kryer shoqërimi i kandidatit të PS-së, për të marrë dhe dëshminë e tij mbi ngjarjen.
a.b/NOA