Lezhë, 3 maj 2011, NOA- Gjatë ditës së sotme kreu i shëndetësisë shqiptare në qytetin e Lezhës inauguroi Urgjencën e Spitalit të këtij qyteti.
Mësohet se departamenti i urgjencës së Spitalit të Lezhës përmes këtij investimi është pajisur me aparatura të teknologjisë së fundit mes tyre, eko me ngjyra, defibrilator, autoklavë, pajisja radiologjike e lëvizshme etj, dhe njëkohësisht me marrjen e dy ambulancave të reja do të ofrohet edhe dhënia e shërbimit të urgjencës në automjet.
Ndërkaq gjatë fjalës së mbajtur me këtë rast ministri Vasili u shpreh se, “ Qyteti i Lezhës përmes këtij investimi përfiton një shërbim urgjence bashkëkohore me aparatura të njëjta me standartet e ofruara edhe në kryeqytet duke bërë kështu të mundur orientimin e diagnozës në një kohë më të shkurtër ”.
Sipas tij, shëndetësia shqiptare është projektuar tashmë drejt një zhvillimi të qëndrueshëm, me objektiva të qarta që synojnë vendosjen e saj në një nivel sa më të kënaqshëm për popullatën.
Më tej ai theksoi se përmirësimi rrënjësor i shërbimit shëndetësor dhe përafrimi i tij me standardet evropiane, përbëjnë sfidën me të cilën përballet sistemi shëndetësor shqiptar.
a.y/NOA