English

Basha: 1 mijë apartamente për të pastrehët

Tiranë, 4 maj 2011, NOA- Njësia bashkiake numër 7 në kryeqytet ishte vendi i radhës ku kandidati i maxhorancës për të fituar Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha shpalosi programin e tij si dhe u njoh me problemet e qytetarëve.

Një tjetër takim i tipit “Townhall meeting”, bëri që qytetarët të mësojnë drejtpërdrejt nga Lulzim Basha, platformën për Tiranën dhe zonën e tyre.

Gjatë këtij takimi ai u është përgjigjur qytetarëve lidhur me shqetësimet e ngritura, duke i garantuar ata se do bëj gjithçka që veprimtaria e bashkisë të jetë transparente, duke krijuar një kulturë të re konsensusi me qytetarët, për interesat e qytetit dhe testi më i madh sipas tij do të jetë plani i ri urbanistik i Tiranës.

“Do ngre pranë çdo njësie vendore një qendër sociale për të moshuarit me kujdes të përditshëm dhe me kapacitet të përnatshme me shtretër. Të moshuarit aty do kenë shërbim mjekësor falas, aktivitete ndërvepruese të përditshme me njëri-tjetrin, shtyp falas dhe lehtësi të tjera. Së dyti, në qytetin e Tiranës, çdo pensionist apo pensioniste mbi moshën 65 vjeç, do të ketë transport publik falas”, deklaroi Basha lidhur me programin e tij për moshën e tretë.

Më tej ai shtoi se sapo të vijë në krye të bashkisë, do nisë puna për të venë territoret publike të Bashkisë në dispozicion të qytetarëve të Tiranës, duke ndërtuar një partneritet me sektorin privat.

Ai i garantoi qytetarët se në katër vitet e ardhshme, do të ndërtohen të paktën 1 mijë apartamente për të pastrehët, ndërsa për çiftet e reja do të mundësohen kredi të buta.

Ndërsa lidhur me projektin e tij për artistët i kandiduari i koalicionit “Aleanca për qytetarin” u shpreh se, ata nuk do të jenë më të harruar dhe të braktisur, por do të gjejnë tek Bashkia një mbështetës të madh të projekteve të tyre.

Sipas Bashës një fond ekselence do vihet në dispozicion të tyre, si dhe shtoi se do të rrisë fondin për artin e kulturën duke e shndërruar Tiranën, kryeqytet evropian të kulturës.

“Unë besoj se ka ardhur koha që ne ti vëmë vetes objektiv që Tirana të jetë kryeqytet europian i kulturës në 5 vitet e ardhshme. Ka ardhur koha që ky qytet dhe qytetarët e tij të marrë përgjegjësitë e veta për trashëgiminë e jashtëzakonshme kulturore e artistike dhe autorët e saj. Unë jam i vendosur të përdor të gjithë energjitë bamirëse të këtij qyteti, por me Bashkinë në krye, që të themelojmë një fond ekselence për të siguruar dinjitetin e plotë njerëzor në çdo ditë të jetës të çdo autori, prodhuesi, të vlerave artistike kulturore të Tiranës dhe Shqipërisë. Unë ju premtoj se fondin e ekselencës do ta bëj realitet Brenda vitit 2011”, u shpreh Basha.

a.y/NOA

KOMENTE