Tiranë, 4 maj 2011, NOA – Tri ditë para mbylljes së fushatës elektorale dhe pesë ditë para zgjedhjeve të 8 majit, kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e sotme të qeverisë deklaroi pak minuta më parë se zgjedhjet e 8 majit janë dëshmia që qytetarët shqiptarë mund të japin për integrimin në Europë. Kryeministri tha se gjatë kësaj fushate janë regjistruar disa incidente të papranueshme, porse masiviteti i qytetarëve gjatë mitingjeve ka dëshmuar se edhe në zgjedhjet e 8 majit qytetarët shqiptarë do të hedhin votën masivisht për qeverisjet vendore në bashkitë e komunat e vendit.
Kryeministri Berisha iu referua ditës së Europës, 9 majit, kur i cilësoi zgjedhjet si një festë që shënohet në ditën e Europës dhe si e tillë, një proces i ndershëm është nderimi më i madhe për këtë ditë që qytetarët mund të dëshmojnë.
Në vigjilje të zgjedhjeve, duke iu referuar parregullsive në komisionet e votimit, kryeministri Berisha pati një mesazh të veçantë për komisionerët që të respektojnë ligjin dhe integritetin e votës pa asnjë ndikim partiak, pasi siç tha kryeministri vota e 8 majit është në duart e tyre.
“Së pari i siguroj ata se pavarësisht nga forca politike, besimi është i plotë te integriteti i tyre moral, qëndrueshmëria përpara ligjit, janë ata që në datën 8 maj shndërrohen në vendimmarrësit më kryesorë. Janë ata që në datën 8 maj shndërrohen në kujdestarët e votës së qytetarëve shqiptarë, kanë ata procesin zgjedhor në duart e tyre”, tha kryeministri.
Në këtë kontekst shefi i qeverisë u bëri thirrje komisionerëve të jenë rojtarë të votës duke u dhënë dorazi një ndihmesë të madhe qytetarëve, vendit dhe forcës politike që përfaqësojnë.
Kryeministri ripërsëriti thirrjen për komisionerët dhe vëzhguesit e qendrave të numërimit që të zbatojnë rregullat e KQZ-së.
Sipas zotit Berisha procesi zgjedhor në 8 maj është në duart e komisionerëve dhe u përket atyre të respektojnë çdo qytetar dhe çdo votë, duke i përmbajtur ligjit zgjedhor, e duke dëshmuar dorazi një proces zgjedhor të lirë e ndershëm.
Berisha i ftoi të gjitha forcat politike që në trajnimet që u bëjnë komisionerëve të përfshijnë të gjitha rekomandimet e ODHIR-it që kanë të bëjnë me komisionet.
Këtu kryeministri përmendi edhe vendosjen e votimit elektronik në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 28 qershorit të vitit 2009, numërim i cili sikundër tha shefi i qeverisë bëri që zgjedhjet të çertifikohen, dhe që rezultati i tyre të rezultonte në gabimin më të vogël njerëzor.
Ky sistem tha kryeministri po del gjithnjë e më shumë në pah si sistemi më i saktë për numërimin e votave.
mit/NOA