Durrës, 4 maj 2011, NOA- (Update) Në takimin përmbyllës të fushatës në qytetin e Durrësit Kryeministri Berisha, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike u shpreh se Shqipëria në katër vitet e ardhshme do të bëhet një nga vendet më të zhvilluara të rajonit.
Në fjalën e tij shefi i bluve premtoi se programi i kandidatit Ferdinand Xhaferri për Durrësin e këtij shekulli do të mbështet me të gjithë potencialet nga qeveria shqiptare.
Kryeministri ftoi qytetarët të votojnë për zotin Xhaferri, pasi vota e tyre do të jetë votë për shndërrimin e Durrësit në një gjenerator gjigant të krijimit të vendeve të punës në turizëm, arsim e në të gjitha fushat jo vetëm për qytetarët e tij, por për të gjithë shqiptarët.
“Jam sot këtu për tu zotuar se gjatë këtij mandati do të asfaltojmë çdo rrugë dhe rrugicë, çdo shesh të këtij qyteti dhe do të ndërtojmë një nga bulevardet më madhështore në Shqipëri, bulevardin Durrës- Kallm. Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferrin do të jetë votë për Durrësin me ujë 24 orë në 24 orë, do të jetë votë për Durrësin akademik dhe universitar, me njërin prej universiteteve me moderne dhe më të fuqishëm të vendit. Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferrin do të jetë votë për Durrësin industrial, me një rritje prej së paku 4 herë të prodhimit të tij. Vota juaj më 8 maj për Ferdinand Xhaferrin do të jetë votë për potencialet e jashtëzakonshme, trashëgiminë e jashtëzakonshme kulturore të qytetit tuaj, por edhe për gjeninë krijuese të qytetarëve të Durrësit”, u shpreh lideri i maxhorancës.
Sipas tij, vota në 8 maj për Ferdinnad Xhaferrin, do të jetë votë për ëndrrën më të lashtë, më të bukur, më fisnike, më madhështore të Durrësit dhe të mbarë shqiptarëve, për integrimin e Durrësit dhe Shqipërisë në Evropë, pasi shtoi ai 8 maji do jetë dita e Evropës, 8 maji do jetë dita e idealit dhe e ëndrrës europiane.
Më tej Kryeministri Berisha u shpreh se, në 8 maj, Durrësi, ura e përjetshme e kombit shqiptar me perëndimin do të votojë blu, do të votojë Ferdinand Xhaferrin, do të votojë të ardhmen e tij.
Ai i garantoi banorët se në katër vitet e ardhshme Durrësi do të jetë një nga qytetet më të zhvilluara në brigjet e Adriatikut, Shqipëria një nga vendet më të zhvilluara të rajonit.
a.y/NOA