English

Ina Rama prokurorëve: Ushtroni kompetencat për garantimin e zgjedhjeve

Tiranë, 4 maj 2011, NOA – Masat organizative për përballimin me sukses të procesit zgjedhor për organet e qeverisjes vendore në 8 maj ishin në qendër të takimit të sotëm të Prokurores së Përgjithshme Ina Rama me drejtuesit e Prokurorive të rretheve si dhe atyre të Apelit.

Prokurorja e Përgjithshme i bëri thirrje prokurorëve në rrethe që të ushtrojnë kompetencat e tyre në funksion të garantimit të një procesi zgjedhor të lirë, transparent dhe demokratik.

Duke iu referuar incidenteve në rritje që lidhen me zgjedhjet kryeprokurorja Rama i bëri një apel të qartë prokurorëve duke u thënë se duhet të shtojnë gatishmërinë dhe marrjen e masave tekniko-organizative, për t’iu përgjigjur kësaj situate. “Prokuroria Shqiptare është një institucion i pavarur dhe ka për detyrë të kryejë me paanësi detyrën e saj kushtetuese, në të gjitha rastet e shkeljes së ligjit në nivelin e një vepre penale, të kryera qoftë nga zgjedhësit, apo nga anëtarë të organeve që janë të ngarkuara nga ligji me kryerjen e procesit zgjedhor, duhet të garantojë se do të bëjë proces hetimor profesional, të paanshëm dhe larg çdo ndikimi politik”, saktësoi kryeprokurorja Rama.

Gjatë takimit drejtuesit e prokurorive, zonja Ina Rama vuri theksin në masat që duhen marrë në përballimin e kësaj situate në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit dhe organet e tjera të zbatimit të ligjit.

Sipas kryeprokurores mbetet prioritet kryesor gatishmëria e çdo punonjësi, prokuror apo oficer i policisë gjyqësore për t’iu përgjigjur në kohë dhe në lartësinë e duhur çdo rasti që paraqitet.

Sipas saj në përballimin me sukses të detyrave në këtë situatë është tejet e rëndësishme rritja e efikasitetit dhe profesionalizmit në hetimin e secilës çështje.

Në përfundim të takimit Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama u kërkoi të ushtrojnë funksionet e tyre në përmbushje të detyrimeve kushtetuese në këtë proces duke marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë që ligji i ngarkon për mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës.

mit/NOA

KOMENTE