Tiranë, 4 maj 2011, NOA - Nga vëzhgimi i situatës parazgjedhore në qytetet Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Fier, Elbasan, Shkodër, Vlorë, Korçë dhe Kukës, Komiteti Shqiptar i Helsinkit deklaroi sot se atmosfera parazgjedhore është tensionuar për shkak të gjuhës së urrejtjes së përdorur nga liderët politikë dhe mungesa e dialogut e debatit konstruktiv për të shpalosur programet elektorale.
Drejtoresha e KSHH-së, Vjollca Meçe deklaroi se “Ne nuk marrim përsipër të nxjerrim konkluzione për motivet e vërteta të këtyre incidentëve të dhunshme, sepse kjo është detyrë e organeve të drejtësisë por, mendojmë se kjo situatë është e influencuar edhe nga gjuha e urrejtjes, e përdorur nga liderët e partive politike, nga akuzat e ndërsjellta, nga mungesa e dialogut dhe e debatit konstruktiv midis tyre”.
Sipas KSHH-së fushata zgjedhore u shoqërua nga incidente të lehta dhe të rënda midis simpatizantëve dhe militantëve të tre subjekteve kryesore: PD, PS dhe LSI.
“Incidentet, përplasjet, pa përjashtuar edhe ndonjë vepër kriminale. vazhdojnë megjithëse nga zgjedhjet na ndajnë edhe pak ditë”, tha zonja Meçe në një konferencë për shtyp.
Sipas KSH-së incidentet e vazhdueshme mund të ndikojnë negativisht tek zgjedhësit, të cilët kërkojnë një atmosferë të qetë në 8 maj.
“Nuk përjashtohet mundësia që klima e acaruar të reflektojë edhe në ditën e votimit. Që kjo të mos ndodhë nevojitet kontributi i të gjithë aktorëve, përfshirë këtu dhe median. Në këtë drejtim faktor i rëndësishëm janë, në veçanti, dy partitë e mëdha politike, megjithatë, duhet theksuar se është qeveria që mban përgjegjësinë kryesore për organizimin e zgjedhjeve, dhe në mënyrë të veçantë, për garantimin e rendit dhe të qetësisë gjatë gjithë fushatës”, theksoi më tej drejtoresha e KSHH-së.
Objekt i vëzhgimit të Komitetit Shqiptar të Helsinkit ishin shpallja e listave paraprake dhe përfundimtare të zgjedhësve në afatin e përcaktuar nga ligji; vendosja e tyre në vende publike, të dukshme dhe të aksesueshme nga zgjedhësit; sensibilizimi i zgjedhësve për listat; ushtrimi i të drejtës së ankesës ndaj parregullsive në lista; vëzhgimi i elementëve të fushatës elektorale; ngritja e KZAZ-ve dhe trajnimi i tyre; ngritja e KQV-ve dhe trajnimi i anëtarëve të tyre.
Drejtoresha e Komitetit Shqiptar të Helsinkit foli gjithashtu edhe për prodhimin nga KQZ-ja të një numri të madh vulash të Qendrave të Votimit me arsyetimin se ditën e votimit, anëtarë të këtyre komisioneve mund të braktisin qëllimisht detyrën dhe të marrin me vete edhe vulën.
Në këtë kontekst, KSHH shprehu rezerva lidhur me ligjshmërinë e këtij vendimi të KQZ-së, duke e argumentuar me faktin se KQZ nuk duhet të marrë asesi rolin e legjislatorit.
“Për më tepër, ky vendim nuk mbështetet në asnjë dispozitë të Kodit Zgjedhor. Kjo do të thotë se nuk ka dispozitë që të autorizojë KQZ-në të prodhojë vula tej nevojës që ka procesi zgjedhor. Veç kësaj, ne mendojmë se vendime të tilla ndikojnë negativisht dhe paragjykojnë veprime masive të kundraligjshme që kanë të bëjnë me ecurinë normale të procesit zgjedhor. KQZ nuk mund të marrë rolin e legjislatorit dhe të krijojë norma që japin zgjidhje tej atyre që parashikon Kodi Zgjedhor. Një sjellje e tillë e vendos KQZ në konflikt kompetencash me organin legjislativ”, theksoi zonja Meçe.
Duke folur për standardet e zgjedhjeve të 8 majit, KSHH thekson se nga vëzhgimet e deritanishme zgjedhjet e 8 majit mund të lënë për të dëshiruar sa i përket plotësimit të standarteve demokratike për zgjedhje të lira e të drejta.
« Pavarësisht nga vullneti politik i partive që natyrisht është i rëndësishëm, vonesat në ngritjen e KQV-ve dhe të grupeve të numërimit të votave, mund të shoqërohen me pasoja që të çojnë deri në shkeljen e Kodit Zgjedhor ose të bllokimit të proceseve. Në këtë drejtim, siç u tha më lart, mund të ndikonte edhe mungesa e trajnimit ose e trajnimeve formale », tha drejtoresha e KSHH-së, Vjollca Meçe.
mit/NOA