Tiranë, 4 maj 2011, NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi sot nga qyteti i Elbasanit se vota e 8 majit do të jetë për “Aleancën për Qytetarin” që do të realizojë premtimin për të nisur punimet për autostradën më të re në Shqipëri, dhe autostradën më të rëndësishme për të gjithë qytetarët e Elbasanit, atë që do të bashkojë Tiranën me Elbasanin.
Kreu i LSI-së shprehu bindjen se autostrada dhe tuneli Tiranë-Elbasan do t’i japin një ritëm tjetër qytetit të Elbasanit, dhe mirëqënies për qytetarët e Elbasanit.
Meta i bëri thirrje qytetarëve të Elbasanit se me fitoren e Durim Hushit në Elbasan, dhe fitoren e padiskutueshme të Lulzim Bashës në Tiranë brenda 18 muajsh me përfundimin e autostradës Tiranë-Elbasan, qyteti i Elbasanit do të jetë një nga qendrat më të zhvilluara jo të Shqipërisë por të të gjithë rajonit.
“Jam i bindur se me vizionin e tyre dhe me votën që do të marrin në datën 8 maj do ti realizojmë të gjitha ato projekte ku kryefjala është punësimi, ku kryefjala është mirëqenia”, u shpreh kreu i LSI-së.
Meta shprehu besimin se qytetarët elbasanas do të votojnë në 8 maj Durim Hushin, duke iu larguar një herë e përgjithmonë drejtimit të prapambetur që Elbasani po jeton.
“Jam i sigurt se Durim Hushi ka të gjithë personalitetin e duhur, ka formimin profesional, është një njeri që ka treguar se di të ngrihet mbi interesat e ngushta edhe të forcave politike, është një njeri që di të shikojë drejt së ardhmes me guxim dhe me kurajë dhe Elbasani ka nevojë për këtë kryetar Bashkie”, u shpreh kreu i LSI-së për kandidatin për kryebashkiak të Elbasanit Durim Hushi.
Sipas Metës, Elbasani ka nevojë për një Kryetar Bashkie me projekte të qarta dhe Durim Hushi i ka të gjitha projektet për ta çuar Elbasanin përpara, dhe jo për një kandidat për Kryetar Bashkie si Qazim Sejdini, që në emër të rrugës së vetme kërkon votën e qytetarëve të Elbasanit. Kreu i LSI-së theksoi se kandidati i rrugës së vetme, dhe kandidatët e rrugës së vetme, kërkojnë votat e qytetarëve në mënyrë që të bëjnë sherre politike me qeverinë.
Ashtu sikurse jam i sigurt se përveç këtyre aspekteve Durim Hushi e ka shumë të qartë se Elbasani ka nevojë tu tregojë të gjithëve se është jo vetëm një qytet i traditave dhe arsimit e kulturës, pro është një qytet i gatshëm për të demonstruar këto tradita dhe këto talente të reja që i ka sot dhe për të cilat nuk kujdeset askush.
Duke folur për arritjet e qeverisë së koalicionit të integrimit, me liberalizimin e vizave fituan jo vetëm anëtarë dhe simpatizantë e partive të koalicionit qeverisës, por fituan dhe anëtarë e simpatizantë të partisë socialiste, madje dhe qytetarë elbasanas që u bënë pjesë e grevës së urisë së thirrur nga opozita për pengimin e lëvizjes së lirë.
Andaj në tri ditët e fundit të fushatës elektorale shefi i LSI-së Ilir Meta i ftoi qytetarët e Elbasanit që ta vijojnë deri në fund e ta përmbyllin në mënyrë të kulturuar dhe demokratike.
“Fitore dhe vetëm fitore në 8 maj. Le të mblidhemi në 9 maj për të festuar fitoren e shkëlqyer të Durim Hushit në Elbasan dhe të Lulzim Bashës në Tiranë”, përmbylli fjalën e tij në mitingun elektoral në Elbasan kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
mit/NOA