Tiranë, 4 maj 2011, NOA – Ministria e Punëve të Jashtme përshëndeti paktin politik mes dy partive shqiptare në Maqedoni BDI-së dhe PDSH-së, një pakt i nënshkruar pak më parë, që i hap rrugën një perspektive të re në marrëdhëniet mes spektrit politik shqiptar në Maqedoni.
Kryediplomati shqiptar Edmond Haxhinasto vlerëson në deklaratën e tij jo vetëm nënshkrimin, por edhe implementimin e kësaj marrëveshjeje që kanë një rëndësi themelore.
“Krijimi i një klime demokratike zgjedhore, mirëkuptimi dhe bashkëpunimi mes të gjithë atyre që do të zgjidhen dhe do të votojnë, duke respektuar diversitetin e pikëpamjeve, i shërben stabilitetit, demokracisë dhe perspektivës integruese të Maqedonisë”, shkruhet në deklaratën e MPJ-së.
MPJ shpreh bindjen se përmbyllja me sukses e këtyre zgjedhjeve, përbën një element thelbësor për dinamikën e zhvillimit të reformave, të procesit të integrimeve në NATO dhe BE, por edhe të zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Ndërkohë mesnata e nesërme është afati i fundit për partitë politike në Maqedoni për dorëzimin e listave për deputetë që do të marrin pjesë në zgjedhje.
mit/NOA