Tiranë, 4 maj 2011, NOA- Dita e nesërme do të sjellë përmirësim të kushteve atmosferike dhe për pasojë vendi ynë do të karakterizohet nga kthjellime, përjashtuar zonat malore juglindore ku do të ketë vranësira dhe shira të izoluar. Në mesditë i gjithë vendi do të jetë në ndikimin e motit të kthjellët.
Shqipëria
Sipas MeteoAlb, pjesa e dytë e ditës do të vijojë me mot të kthjellët në zonat e ulëta dhe bregdetare, ndërsa kthjellime dhe vranësira të herë pas-hereshme do të ketë në zonat malore. Në kushte të stabilitetit të atmosferës do të mbetemi gjatë natës dhe mëngjesin e ditës së premte.
Temperaturat e ajrit do të qëndrojnë konstante në vlerat minimale ndërsa në vlerat maksimale do të pësojnë 2 grade rritje në të gjithë vendin.
Era do të fryjë e lehtë në tokë dhe në det me shpejtësi 20 km/h dhe drejtim Veriperëndimor, ndërsa dallgëzimi në Adriatik dhe në Jon do të jetë i ulët.
Europa
Nesër, Europa Veriore - Verilindore do të karakterizohet nga vranësira dhe shira të dendur të cilët më të përqendruar do të jenë në veri të Europës. Po ashtu me kushte te paqëndrueshme atmosferike do të jenë një pjesë e jugperëndimit të kontinentit dhe ishujt Britanikë pasi vranësirat dhe shirat do të jenë dominuese gjatë gjithë ditës. Ndërsa Europa Qendrore, Pellgu i Mesdheut dhe gadishulli i Ballkanit do të karakterizohen nga kushte të qëndrueshme atmosferike ku kthjellimet do të jenë dominuese në këto rajone.
Ngjarje ekstreme në Europë:
- Ishujt Britanike alarmojnë për shira intensive
- Finlanda rrezikohet nga reshje shiu dhe dëbore
- Spanja, Portugalia rrezikohen nga era të forta, dallgë të larta
a.y/NOA