English

PD: Nën drejtimin e Ramës, Tirana ndër kryeqytetet më të korruptuara

Tiranë, 4 maj 2011, NOA - Deputetja demokrate Mesila Doda deklaroi sot se keqqeverisja e kryebashkiakut Edi Rama e rendit sot në Tiranën ndër kryeqytetet më të korruptuara të Europës. Deputetja Doda theksoi se problematikat kryesore në drejtimin e Tiranës është mostransparenca ndaj taksave dhe mungesa një plani urbanistik për metropolin shqiptar.

“Tirana sot renditet ndër kryeqytetet më të korruptuara europiane. Ky është qyteti, i cili sot vuan nga një mungesë e theksuar transparence në përdorimin e taksave të mbledhura, në ofertat dhe nënkontraktuesit e Bashkisë së qytetit, dhe veçanërisht në lëshimin e lejeve të ndërtimit”, deklaroi Doda.

Sipas saj pajisja me një leje apo liçencë në Tiranë, kërkon më shumë kohë dhe ka më shumë kosto se në çdo kryeqytet tjetër.

Ajo iu referua faqes së internetit të bashkisë së Tiranës, duke u shprehu se për të marrë një leje ndërtimi në këtë bashki të duhen mesatarisht 336 ditë, që siç tha deputetja Doda është rreth dhjetë here më shumë kohë pritje se në çdo qytet tjetër.

Sipas saj ky fenomen shoqërohet edhe me përqendrimin e të gjithë pushtetit në duart e bashkisë qendrore dhe refuzimin për t’i dhënë kompetencat që u takojnë 11 njësive bashkiake.

Ndërkohë duke folur për mungesën e planit urbanistik, deputetja demokrate tha se kjo ka sjellë një zhvillim kaotik dhe keqadministrim të hapësirës urbane, si edhe efekte negative në cilësinë e jetës së banorëve të qytetit.

Ajo iu referuar studimit të “Doing Business,” për performancën e 22 qyteteve të Ballkanit, duke evidentuar se “Tirana renditet e 16-ta, pas Shkodrës, Prizrenit, Prishtinës, Podgoricës, apo Shkupit”.

Këtu deputetja demokrate ritheksoi se kandidati demokrat për Tiranën Lulzim Basha ka si qëllim parësor qeverisjen e mirë dhe transparente të Tiranës.

mit/NOA

KOMENTE