English

Përmbyten disa lagje në Durrës pas dy orëve shi

Durrës, 4 maj 2011, NOA – Vetëm dy orë shi i rrëmbyer i rënë gjatë mesnatës së djeshme mjaftoi që dhjetëra lagje të Durrësit të përmbyten, duke risjellë në vëmendje punën e dobët dhe mungesën e kanalizimeve të ujërave si pjesë e një studimi të qartë që do të ndalte këtë situatë që përsëritet sa herë bie shi.

Rrugë të tëra dhe banesa janë përmbytur nga uji, që ka bllokuar edhe një numër banesash përdhese tek ish zona e fidanishtes në lagjen 18, në Spitallë dhe Porto Romano.

Në zonat e Spitallës dhe Porto Romanos për largimin e ujit është nevojitur edhe ndërhyrja e zjarrfikëseve, ndërkohë që reshjet kanë shkaktuar edhe kufizime të furnizimit me energji elektrike.

Shirat e rrëmbyer kanë shkaktuar dëme materiale në banesat e zonës, ndërkohë që përmbytjet kanë bllokuar edhe zonën përreth tregut industrial, ku një numër magazinash mallrash dhe garazhesh janë përmbytur nga uji, që ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

I përmbytur tërësisht nga uji ka qenë edhe kryqëzimi pranë stacionit të trenit, si dhe rrethrrotullimi pranë Shkozetit, që përmbytet çdo herë kur ka reshje të dendura. Mësohet se lartësia e ujit në këtë zonë mbërriti deri në 20 centimetra, duke bërë që të përmbyteshin edhe katet e para të pallateve.

Nga reshjet nuk ka funksionuar me kapacitet të plotë edhe hidrovori në Porto Romano, për shkak të kufizimit të energjisë elektrike.

mit/NOA

KOMENTE