English

Rama: Çdo rrugë fillon me një hap, në 8 maj demonstratë popullore për të marrë hak

Durrës, 4 maj 2011, NOA- (Update) Në vijim të fjalës së tij nga qyteti i Durrësit, kryesocialisti Rama, deklaroi se bllokimet e bëra nga qeveria kanë treguar pasionet e Vangjushit për të ecur përpara.

Shefi i opozitës tha se, Saliu duhet ta dijë mirë se asfalti elektoral nuk i mbulon plagët që regjimi i kusarisë dhe matrapazllëkut u ka hapur shqiptarëve.

Sipas tij, 1 milionë të papunë është një shifër kumbuese që në 8 maj Shqipëria të thotë kurrë më.

“Saliu duhet të përgjigjet sa vende pune ka hapur qeveria e tij, çfarë ndodhë me lekët e qytetarëve, që sa herë thotë që u rrit rrogat e pensionet. Lekun duket sikur ua merr era nga xhepi për shkak të rritjes kolosale të çmimeve. Prandaj në 8 maj vota duhet të jetë thellësisht politike. Pse bën presion Saliu mbi mësuesit dhe nëpunësit, çfarë nevoje ka të ushtrojë këtë presion, kur është i bindur se do të fitojë. Presioni i tij ka vetëm një arsye, e dinë se çfarë do të ndodhë në 8 maj dhe duan duke u përpëlitur ti shpëtojnë ndëshkimit për gjithçka kanë bërë e nuk kanë bërë në të mirë të këtij vendi”, deklaroi kreu i koalicionit “Aleanca për të ardhmen”.

Ai kërkoi nga ana e prindërve që kur kërcënohet shtylla e shoqërisë me bukën e gojës, siç janë mësuesit, u takon të gjithëve ti marrin në mbrojtje mësuesit, të cilët tha ai Saliu ka 5 vjet që u përmend rrogën, a thua se u ka shpirtin në dorë.

Sipas tij, Vangjush Dako nuk del para qytetarëve me një listë premtimesh, por me argumenta të nxjerra nga një plan zhvillimi, ashtu si dhe kandidatët e tjerë, kolegë që sot mirëqeverisin pushtetet lokale.

Në vijim ai u tha banorëve të Durrësit zotimet e “Paktit qytetar” duke thënë: “Ne do ti hapim papunësisë një luftë të paparë dhe do krijohen kushte për 300 mijë vende pune, do mbështetet financiarisht. Rruga e punës dhe e integrimit nëpërmjet punës, është e vetmja rrugë që të çon drejt Europës. Ne angazhohemi të heqim të gjitha tatimet e qeverisë mbi biznesin e vogël. Do të bëjmë zero TVSH-në e bukës, baza e të ardhmes për një familje të zakonshme e cila nuk arrin dot fundin e muajit për shkak se nuk blen dot produktet bazë”.

Më tej Rama u shpreh se Saliu ka 20 vjet që u thotë shqiptarëve i gëzofshi shtëpitë dhe nuk u ka dhënë asnjë certifikatë pronësie mbi tokën, dhe sipas tij kjo do të bëhet realitet vetëm kur “Aleanca për të ardhmen” të ketë gjithë fuqinë e ndryshimit në dorë.

“Saliu iu do të varfër që të thotë i kam në xhep ata që kanë ardhur nga e veriu e nga zona të tjera, se ata për mua votojnë, ne nuk kemi në xhep askënd ne jemi këtu për ti shërbyer gjithkujt. Vota juaj në 8 maj lexohet në entuziazmin tuaj, por deri në 8 maj trokisni në çdo derë dhe bjerini çdo telefoni, ftojini qytetarët që të vijnë te kutitë e votimit në një demonstratë popullore për të marrë hakun që u takon”, deklaroi shefi i opozitës.

Në përfundim të fjalës së tij gjatë përmbylljes së fushatës në Durrës, Rama tha se, çdo rrugë sado e gjatë fillon gjithmonë me një hap dhe çdo hap sado i gjatë fillon me një votë e cila duhet hedhur te kutia e votimit për të kurorëzuar ëndrrën që vazhdon.

a.y/NOA

KOMENTE